Jahjaga e Mustafa, të shqetësuar për ngjarjet e Kumanovës

11/05/2015 00:00

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe kryeministri Isa Mustafa shprehin shqetësimin e tyre të thellë dhe dënojnë çfarëdo përfshirje të shtetasve të Republikës së Kosovës në incidente në Republikën e Maqedonisë, që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe shteteve fqinje, duke vënë në sprovë paqen dhe sigurinë dhe duke rrezikuar jetën dhe pronën e qytetarëve.

Pas një takimi të kësaj të hëne, Presidentja Jahjaga dhe kryeministri Mustafa bëjnë thirrje për hetim transparent dhe të besueshëm të ngjarjeve të fundit, duke shprehur gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të vazhduar të ofrojnë ndihmën e tyre të plotë, për të zbardhur zhvillimet e fundjavës në qytetin e Kumanovës.

Mekanizmat e drejtësisë dhe sigurisë së Kosovës kanë kërkuar nga homologët e tyre maqedonas, detaje lidhur me incidentet e fundjavës dhe janë në pritje të një përgjigjeje zyrtare nga ta, thuhet në një komunikatë të përbashkët për shtyp, të lëshuar nga zyra e Presidencës.

Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për një Maqedoni shumë etnike, të qëndrueshme, të përkushtuar për të drejta të barabarta të të gjitha komuniteteve dhe zbatim të “Marrëveshjes së Ohrit”, e orientuar fuqishëm në rrugën evropiane dhe euroatlantike, me të cilën gëzon marrëdhënie të mira ndërshtetërore.

Institucionet e Kosovës u shprehin keqardhjen e tyre familjeve të viktimave dhe të lënduarve, dhe bëjnë thirrje për respektim të plotë të ligjit dhe përmbajtje nga dhuna, përfundon deklarata.

Top Channel