Eurokomisioneri Johannes Hahn: Të zbardhet ngjarja e Kumanovës

11/05/2015 00:00

Brukseli i kërkon Shkupit të zbardhë çfarë ndodhi këtë fundjavë në Kumanovë dhe shkaktarët të vihen para përgjegjësisë.

I pyetur mbi këtë çështje gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin e Gjeorgjisë, Komisioneri Johannes Hahn renditi 3 pika në mesazhin e tij, duke theksuar se kjo ngjarje nuk duhet të përdoret për tensione ndëretnike dhe as për të shmangur vëmendjen nga kriza politike maqedonase.

“Së pari, ne jemi të gjithë të shqetësuar për atë çfarë ndodhi gjatë fundjavës dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira dhe aktorëve atje që të bashkëpunojnë për të sqaruar çfarë ka ndodhur, kush qe i ngarkuar e kush është përgjegjës për atë që ndodhi, dhe të veprojnë të bashkuar mbi këtë çështje. Së dyti, ky sulm nuk mund dhe nuk duhet të heqë vëmendjen nga gjendja e brendshme politike tepër serioze në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, per të cilën ne kemi bërë thirrje ndaj qeverisë, por dhe partisë në opozitë, që të gjejnë zgjidhje dhe të nisin bashkëpunimin. Pra, kjo që ndodhi nuk duhet parë si një mundësi për të shmangur zgjidhjen e problemit themelor me të cilin vendi po përballet. Dhe së treti, ky sulm, kjo ngjarje, nuk duhet të përdoret për të krijuar ndërlikime të mëtejshme, duke paraqitur tensione ndëretnike mbi situatën. Kjo duhet evituar. Prandaj, kërkoj nga të gjithë, me të vërtetë, personave përgjegjës në vend, por dhe në fqinjësi, të reflektojnë e të veprojnë të bashkuar, në mënyrë të synuar, gjurmuese dhe me transparencë”, tha Johannes Hahn, Komisioner për Fqinjësinë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit.

Ngushëllimet e Brukselit shkojnë si për familjarët e policëve të vrarë, ashtu dhe për të afërmit e civilëve që u gjetën në mes të shkëmbimit dyditor të zjarrit në lagjen shqiptare të Kumanovës. Komisioni Europian dëshiron që ky rast të mbetet i izoluar për të mos tensionuar më tej marrëdhëniet ndëretnike.

 

Top Channel