Parashikimet fataliste për Maqedoninë: Mund të nxitet ekstremizmi

11/05/2015 00:00

Për ngërçin e fundit në Maqedoni ka mjaft përkufizime, por eksperti gjerman i çështjeve të Ballkanit dhe Europës Lindore në tërësi, Franz-Lothar Altmann, është ai që shkon ndoshta më larg nga të gjithë me parashikimet e veta për një “katastrofë të vërtetë kombëtare” në këtë vend.

Maqedonia, sipas Altmannit është ngërthyer në krizën më të thellë politike, që prej shkëputjes nga ish-Jugosllavia dhe situata rrezikon të precipitojë në luftë civile. Përkeqësimi i menjëhershëm i gjendjes gjatë fundjavës, shton sipas analistit frikën se gjërat mund të dalin jashtë kontrollit.

Në intervistën e dhënë “Deutsche Welle”-s, Altmann përcjell një shqetësim që, edhe pse mund të jetë i pabazë, duket se reflektohet edhe nga të tjerë. Forcat ekstremiste në radhët e shqiptarëve, thotë ai, mund të inkurajohen për të ndërmarrë aksione të mëtejshme destabilizuese, çka do të krijonte premisat e një kolapsi total të shtetit dhe një shkëputjeje të pjesës shqiptare.

BE-ja, e sidomos Gjermania, e cila ka influencë të madhe si ndërmjetësuese neutrale dhe si simpatizuese e Maqedonisë, duhet të ndërhyje, përndryshe demokracia e brishtë e vendit do të shembet, duke përfunduar në katastrofë, është opinioni i Altmannit.

Që prej muajit Shkurt, Maqedonia është zhytur në një krizë të thellë politike, pas skandalit të përgjimeve të bërë publik nga opozita, dhe pretendimeve të ekzekutivit për një “grusht shteti”.

“Deutsche Welle” citon ligjvënës gjermanë të thonë se, gjatë një takimi të komisionit të Çështjeve të Jashtme në Bundestag, përfaqësues të qeverisë kanë paralajmëruar se problemi kryesor në Maqedoni sot është kursi autoritar i ekzekutivit aktual dhe kryeministrit.

Sundimi autoritar dhe dhuna kundër qytetarëve protestues nuk do ta ndihmojë zgjidhjen e situatës ndërkombëtare politike të Shkupit, e ka për ta larguar edhe më tepër atë nga Bashkimi Europian, profetizon Altmann.

Berlini, në mënyrë të veçantë, është i trazuar e i zhgënjyer, pasi këto vitet e fundit është përpjekur shumë fort t’i mbështesë tentativat e Maqedonisë për marrëdhënie më të ngushta me NATO-n dhe BE-në. Por imazhi dikur pozitiv i saj është dëmtuar ndjeshëm muajt e fundit, çka e bën më të vështirë të binden ligjvënësit gjermanë, se angazhimi i deritanishëm kundrejt Maqedonisë duhet promovuar.

Top Channel