Guardiola: S’dorëzohemi, luajmë me zemër dhe kokë

11/05/2015 00:00

Pep Guardiola nuk ishte shumë i qetë në konferencën para ndeshjes së
dytë gjysmëfinale ndaj Barcelonës. Rezultati i ndeshjes së parë nuk le
shumë për të besuar, por gjermanët nuk pranojnë të dorëzohen. Trajneri
spanjoll është vënë në qendër të kritikave pas së mërkurës, ndërsa
kulmuan në fundjavë pas humbjes së katërt rradhazi në kampionat.

“Nuk jam te Bayern për t’u bërë trajneri më i mirë në botë, por të ndihmoj skuadrën që të arrijë suksese të reja, ashtu siç bëra kur isha te Barcelona. Unë jap më të mirën nga vetja, por nuk e di nëse kjo majfton për njerëzit. Nëse kjo nuk mjafton për klubin, atëherë më vjen keq. Unë nuk ndryshoj stil loje për shkak të një fitoreje ose humbjeje. Nëse nuk fitojmë nuk do vras veten, është shumë e thjeshtë. Jam i lumtur me punën time, sepse gjithmonë jap maksimumin”-, u shpreh Guardiola.

Pep ka thënë se skuadra e tij do luajë me zemër dhe kokë, ndërsa do tentojë që të përmbysë ndeshjen e parë. “Ne nuk do fitojmë sepse unë jam trajneri, ose sepse jemi Bayern-i. Ne do të luajmë me zemer dhe me kokë. Jemi të lumtur që jemi në gjysmëfinale, por rezultati nuk na favorizon. Njerëzit mendojnë se ne do të sulmojmë, por fillimisht duhet që të mbrohemi mirë. Barça është skuadra më e mirë në botë në kundërsulme”-, deklaroi trajneri i bavarezëve.

Guardiola u shpreh se Lewandowski do të luajë me maskë, ndërsa edhe Gotze, që gjithashtu u kritikua pas ndeshjes së parë, është një opsion për formacionin startues. “Lewandowski ka pasur një sezon të mirë. Nuk është e lehtë për një lojtar që të ndryshojë skuadër, por ai është ambientuar shumë mirë. Ai do luajë me maskë, për arsye shëndetësore. Gotze? Është një opsion, nuk e di nëse do luajë nga minuta e parë. Diplomacia e Enrique-s? Edhe unë do bëja ashtu, Barça shënoi tre gola në 13 minuta, pse të mos e bëjmë edhe ne?”-, vazhdoi spanjolli.

Në fund, Pep ka hedhur poshtë zërat për një largim të mundshëm nga Bayern-i këtë verë. “E kam thënë 200 milionë herë që nuk do iki. Kam edhe një vit kontratë me këtë skuadër dhe do jem këtu. Do respektoj kontratën time”-, përfundoi Guardiola.

Top Channel