Ndryshimi i ligjit për arsimin parauniversitar, Nikolla: Duhen amenduar disa nene

11/05/2015 00:00

Ministria e Arsimit do të jetë institucioni kryesor që do të përcaktojë kriteret për përzgjedhjen e komisionit që do të kryejë rekrutimin e mësuesve.

Në komisionin e Medias dhe Arsimit, ministria e Arsimit Lindita Nikolla kërkoi ndryshimin e këtij neni në ligjin e arsimit parauniverstar, pasi ai nuk ka funksionuar.

“Kemi pasur raste të shumta të konflikteve personale midis anëtarëve të komisioneve në procesin e konkurrimit, për shkak të pikëpamjeve personale apo njohjeve personale ndaj kandidatëve. Pa folur pastaj për pamundësinë për të mbledhur dhe përcaktuar komisione në shkolla të vogla apo në zona të thella. Këto kanë qenë arsyet që ne kemi dashur ta riadresojmë në një formë të re, pa hequr dorë nga komisionet e vlerësimit. Por ato do të organizohen në bazë drejtori arsimore, në bazë zyrash arsimore, lidhur ngushtësisht dhe me procesin e transparencës dhe rankimit të gjithë burimeve njerëzore, të gjithë punëkërkuesve”, tha ministrja Nikolla.

Ministria e Arsimit e ka cilësuar alterteksin një reformë të dështuar, dhe në shërbim të individëve të caktuar pranë pushtetit. Mbi 93 % e mësuesve janë shprehur kundër altertekstit, çka ka bërë që Ministria e Arsimit të shkojë drejt një teksti, i cili do të jetë i njëjtë edhe në Kosovë.

“Alterteksti e shndërroi konkurrencën e lirë e të ndershme nga një proces thellësisht bashkëpunues, ku gjithkush përfiton, në praktika kufizimi dhe klientelizmi. Në institucionet shkollore, tekstet e nxënësve të konceptuara për lëndë dhe fushë, të nxënit do të jenë të njëjta. Me përfshirjen në ligj të standardeve për tekstet shkollore, botuesve, vlerësuesve dhe përdoruesve të teksteve u sigurohet sistemi i munguar i referimit. Kjo do të arrihet përmes konkurrimit me tekste të reja përpara një komisioni ekspertësh e mësuesish të kualifikuar”, u shpreh ministrja Lindita Nikolla.

“Propozimet e sjella nuk e çojnë arsimin përpara fatkeqësisht. Do të doja që të ishte kjo rasti. Bie dakord me vlerësimet objektive, më bëhet qejfi se ndryshojnë nga tonet e mëparshme. Por kthimi i furnizimit të teksteve shkollore në gjendjen e vitit 2005, përmes një libri të vetëm, qoftë dhe të përzgjedhur me konkurs, kështu ishte rasti dhe atëherë, qoftë dhe duke u mbuluar me emra ndërkombëtarë, është përdorur dhe kjo dhe ka rezultuar kaos, nuk besoj se do t’i ndihmojë nxënësve për të cilët të gjithë ne përbetohemi. Sepse mungesa e konkurrencës reale nuk të çon drejt cilësisë më të lartë dhe kostos më të ulët”, tha deputeti demokrat, Genc Pollo.

Relatori për mbrojtjen e projektligjit për arsimin parauniversitar, Fatmir Toçi dha dorëheqjen, pasi tha që ka konflikt interesi.

 

Top Channel