PD, një grua për Himarën; Basha: Rama lejon vetëm sarajet e Koços

11/05/2015 00:00

Në Himarë, Partia Demokratike kandidon për herë të parë një grua, Lefterie Priftin, dikur nënkryetare e bashkisë. Për kreun e opozitës Lulzim Basha, zonja Prifti është zgjidhja për problemet e komunitetit, pavarësisht përkatësisë politike, duke trajtuar të gjithë banorët njësoj dhe duke mbajtur premtimet.

Sipas Bashës, Himara është një nga zonat më të prekura nga mashtrimet elektorale të kryeministrit Rama dhe nga zbatimi i standardeve të tij të dyfishta.

“Dy vjet përpara premtuan 300 mijë vende pune. Tani që po mbushet 2-vjeçari, ku i ka 150 mijë vende pune? Papunësia është rritur me 7 për qind. Premtoi barazi para ligjit, por i trajton shqiptarët si të njerkës dhe Koçon si të nënës. Mbi 8 mijë objekte janë rrafshuar, i kanë goditur në kundërshtim me ligjin dhe me dhunë policore, ndërsa sarajet e Koços lartësohen”, deklaroi Basha.

Kreu i opozitës i trajtoi këto probleme edhe me banorët e Selenicës, të cilët u ankuan për heqje të padrejtë të ndihmës sociale, pë abuzim me pagesat për personat me aftësi të kufizuara, për pamundësinë e gjetjes së një vendi pune dhe rritjen e varfërisë.

Zoti Basha ndau me ta shqetësimin se qeveria Rama-Meta ka vetëm një parim: atë të pasurimit të vetvetes. “Siç më tha Jorgua i mençur në Himarë, Rilindja ka një parrullë: e imja, e imja; e jotja, e imja”, tha Basha.

Kreu i opozitës ftoi qytetarët të bashkohen me Partinë Demokratike për të ndaluar ambicien e Edi Ramës dhe Ilir Metës për pushtet të pakufizuar. Zoti Basha denoncoi si të paparanueshme deklaratat e kryeministrit Rama se qeveria do të mbështesë bashkitë ku do të fitojnë kandidatët e koalicionit të majtë.

“Tani që e dinë se nuk ia dalin dot me premtime, se populli thotë ‘prapë premtime, prapë mashtrime’, u janë kthyer kërcënimeve: po nuk votuat për ta nuk ka bukë, nuk ka drita, nuk ka ujë, nuk ka lekë. Këto dy vjet që kishin edhe bashkinë, edhe qeverinë, a kishte punë? A kishte investime? A kishte kantiere të reja? A kishte zhvillim? A kishte subvencione? Këta edhe kur i kanë pasur të dyja pushtetet i kanë bërë po aq keq, madje edhe më keq”, shtoi Basha.

 

Top Channel