Liga shqiptaro-amerikane kërkon dorëheqjen e Selimit

11/05/2015 00:00

“Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane” kërkon dorëheqjen e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, për shkak të deklaratës që ai ka bërë, ku ka krahasuar deklaratat e ish-kongresmenit, Joseph DioGuardi, me ato të politikanëve serbë.

Anëtari i bordit të drejtorëve të “Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane”, Faton Bislimi, në një konferencë për media të mbajtur në Prishtinë kërkoi nga kryeministri kosovar, Isa Mustafa, dhe nga zëvendëskryeministri, Hashim Thaçi, që ta largojnë nga qeveria zëvendësministrin Selimi.

Bislimi, po ashtu ka ftuar Komunën e Prishtinës, që njërit prej shesheve kryesore t’i vendoset emri i Joseph DioGuardit.

Ish-kongresmeni DioGuardi, javë më parë ka kërkuar llogari nga Departamenti amerikan i Shtetit, që ka mbështetur ish-kryeministrin kosovar, Hashim Thaçi dhe qeverinë e tij, e cila sipas tij është shndërruar në ndërmarrje ryshfetesh.

Ai ka kërkuar po ashtu, që të hetohet edhe ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell, i cili, sipas DioGuardit ka luajtur rol, që kompania amerikane “Bechtel” të ndërtojë autostradën Kosovë-Shqipëri.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme në Kosovë, Petrit Selimi ka reaguar dhe i ka hedhur poshtë akuzat e DioGuardit, duke thënë se ai po akuzon si të ishte një serb. Selimi tha se DioGuardi ka bërë shumë për Kosovën, por tani nuk e kupton se çfarë kërkon me këto deklarata që bën, pasi ka dalë në pension.

Selimi tha se, akuzat e DioGuardit për Thaçin në Kongresin amerikan nuk kanë asnjë peshë, pasi kongresmenët amerikanë, sipas tij, e vlerësojnë Thaçin aq shumë, sa e kanë propozuar atë për çmimin Nobel për Paqe.

Top Channel