Kim Mehmeti: Kumanova, skenar i regjimit për të ruajtur pushtetin

11/05/2015 00:00

Analisti i njohur shqiptar Kim Mehmeti, njëkohësisht drejtues i zyrës së Top Channel në Shkup, në një bisedë telefonike me studion e lajmeve të TCH e ka cilësuar ngjarjen në Kumanovë si përpjekje të kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski dhe partnerit të tij BDI për të ruajtur pushtetin.

TCH: Përshëndetje Kim. Rezulton se banorët kanë filluar të kthehen në shtëpitë e tyre. A ka mes tyre familje që u mungojnë të afërmit, që janë vrarë apo janë arrestuar?

Kim Mehmeti: Familjarët kthehen e shohin gjak në shtëpitë e tyre, por nuk dinë të thonë se kush është vrarë aty. Këtë përgjigje nuk e jep as policia. Ne kemi të dhëna për një të zhdukur, që për 48 orë familjarët nuk e dinë ku ndodhet. Bëhet fjalë për Besnik Hajdinin. Familjarët kanë pyetur edhe në polici, por ajo u ka thënë se nuk ka informata. Por kjo nuk është hera e parë kur policia thotë njëherë se nuk e di se ku ndodhet personi dhe pastaj del që e ka ditur tërë kohën dhe e ka mbajtur si dëshmitar të mbrojtur. Familjarët thonë se është policia që e ka arrestuar atë dhe e ka ndarë nga fëmijët. Sot mediat kanë arritur deri tek arrestuarit, që policia i quan terroristë, mes të cilëve është edhe Sami Ukshini. Por gjithmonë jozyrtarisht dhe sipas proces-verbaleve policore që kanë gjetur mediat. Flitet edhe për Gent Stefajn, sheteas shqiptar, e dhjetëra të tjerë. Por mbetet diçka alogjike. Kur njerëzit shkojnë në atë lagje, shohin që është bërë luftë. Por shtrohet pyetja se si kanë hyrë këta persona, që duket se u është dashur të kenë edhe një maune me armatime? Si kanë hyrë pa i parë askush? Askush nuk di ta thotë nga erdhën ata luftëtarë. Ndërsa një banor i asaj lagjeje thotë se më shumë është shtënë në ajër.

TCH: Tre ditë pas ngjarjeve të rënda, ka vetëm një shifër të përmendur, ajo e numrit të policëve të vrarë. A ka shkaktuar reagime apo spekullime në politikën dhe shtypin vendas kjo mungesë informacioni, pasi flitet për 22 viktima e mes tyre 8 policë të njësive speciale?

Kim Mehmeti: Të bësh këtë luftë duhet të përgatitesh me muaj. Ata luftëtarë duhet të kenë hyrë me maunë e armatime të rënda dhe mos ta shohësh këtë është e pamundur. Ndaj kjo luftë kishte si qëllim të shpëtonte regjimin e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, për të mbuluar përgjimet që publikoi opozita. Kjo u bë me mbështetjen e një qeverie ku bën pjesë edhe një parti shqiptare si BDI-ja. Ato shtëpi u dogjën dhe njerëzit kanë humbur jetën.

TCH: Analistë të huaj të Ballkanit mendojnë se kjo ngjarje mund të nxisë ekstremizmin mes shqiptarëve. Mendoni se ka premisa të tilla jo vetëm në Kumanovë?


Kim Mehmeti:
Jo, nuk ka. Unë mendoj se nuk ka dhe se e gjithë kjo luftë kishte për qëllim të shkatërrojë një frymë qytetare që filloi të ngjallej në Maqedoni. Për në maj ishin paralajmëruar protesta të përbashkëta shqiptaro-maqedonase kundër këtij regjimi që po na ngulfat të gjithëve dhe mendoj se kjo që ndodhi në kumanovë kishte si qëllim të ndalonte këtë frymë.

Top Channel