Rama prezanton Subashin në Fier: Reformat këto 18 muaj garantojnë drejtimin e duhur

11/05/2015 00:00

Armando Subashi, i cili la mandatin e deputetit për t’iu përkushtuar qytetarëve fierakë, kësaj here në një sfidë tjetër, atë në krye të Bashkisë së tretë më të madhe në vend, thotë se janë një sërë sfidash që e presin përpara.

Ndërtimin e tregjeve të reja, dhënien fund të zvarritjeve me certifikatat e tokës, zhvillimin e turizmit në 25 kilometra vijë bregdetare të kësaj bashkie.

“Bashkia nesër do të ndërmarrë politika mjaft agresive ndaj të gjithë ndotësve të lumit Gjanica. Ndaj të gjithë ndotësve të tjerë, të cilët nëpërmjet gjithë kësaj situate, kanë krijuar edhe situatën e papëlqyer, që ndodhet sot në gjithë bregdetin e mrekullueshëm të bashkisë sonë. Premtimi që po bëj unë sot para jush, është qeverisja e asaj bashkie me drejtësi maksimale, pa asnjë dallim”, tha Subashi.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se, reformat e qeverisë këto 18 muaj garantojnë drejtimin e duhur drejt objektivave tona.

“Ai kryetari që ka vënë Saliu atje, u ankohet të huajve duke u thënë se kryeministri i kërcënon qytetarët, se po votuan për kandidatët e së djathtës do të mbeten pa punë, pa ujë etj. Unë nuk kërcënoj asnjëri, por thjesht mendoj se të votosh për një kandidat të PD-së, pavarësisht nëse janë burra të mirë, sepse edhe kur janë të tillë nuk sillen dot mirë se nuk i lë njeri, do të thotë faktikisht ta çosh votën në drejtimin më të gabuar dhe ta lesh bashkinë pa timon, pa drejtues dhe pa drejtim”, tha kryeministri Rama.

Nga qyteti antik i Apolonisë, ku u prezantua zoti Subashi, numri dy i LSI-së Petrit Vasili tha se, “Fieri duhet të jetë një metropol zhvillimi”.

Gjatë paradites së të hënës, në Tepelenë, kryeministri Rama prezantoi edhe Tërmet Peçin si kandidat të koalicionit të majtë.

* Rama radhiti një sërë objektivash të arritura nga mazhoranca e majtë, sipas tij, në këto 18 muaj qeverisjeje.

“Kanë qenë 18 muaj shumë të ngjeshur, me vështirësi të jashtëzakonshme duke nisur me përballjen e hemoragjisë së të shkuarës nga keqqeverisja, dhe një borxh shumë të madh që ne gjetëm pasi morëm detyrën, dhe ata që rrënuan Shqipërinë e kishin fshehur, duke ua lënë në kurriz shumë sipërmarrësve”, shtoi Rama.

Kreu i qeverisë tha se në “18 muaj është ndalur hemoragjia në të gjithë sektorët e jetës dhe kemi filluar të kthejmë vendin në drejtimin e duhur, ekonominë, financat, energjinë, marrëdhënien me territorin dhe me radhë me bujqësinë, arsimin, shëndetësinë”.

Kryeministri vlerësoi së zgjedhjet e 21 Qershorit janë me një rëndësi të veçantë për shkak të ndarjes së re, ndarje që sipas tij, nuk është bërë thjesht për të zmadhuar një njësi, por bazuar në potencialet e zhvillimit të rajoneve, dhe për këtë kërkoi votën për të pasur një përfaqësues partner dhe dinjitoz të qeverisë në Fier.

Top Channel