NATO: Rusia ka përgatitur separatistët për ofensivë të re thuajse “pa paralajmërim”

11/05/2015 00:00

Shefi ushtarak i NATO-s ka bërë të ditur gjatë kësaj të hëne, se Rusia ka trajnuar dhe grumbulluar forcat pranë kufirit të saj me Ukrainën, si dhe ka afruar bashkë me to edhe pajisje të shumta ushtarake në Ukrainën lindore, duke u ofruar të gjitha mundësitë separatistëve prorusë që të ndërmarrin sulme “blic”, nëse zgjedhin ta bëjnë këtë.

“Shohim një prani të madhe ushtarake ruse, si përgjatë kufirit mes Rusisë dhe Ukrainës, ashtu edhe në Ukrainën lindore, me një rrjedhë të qëndrueshme të mjeteve të rënda, tankeve, artilerisë së rëndë, municioneve, sisteme të mbrojtjes ajrore, si dhe trajnimin e tyre”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës atlantiko-veriore, Jens Stoltenberg, gjatë një konference për shtyp.

“Kështu që, ata kanë kapacitetin dhe aftësinë e nevojshme e të mjaftueshme për të ndërmarrë sulme të reja brenda një kohe tepër të shkurtër, me t’u dhënë urdhri. Megjithatë, është e natyrshme që askush nuk mund të flasë me siguri të madhe në lidhje me qëllimet e tyre”, shtoi ai.

Ndërkohë, një takim i ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s pritet të zhvillohet këtë javë në Turqi, për të diskutuar në lidhje me Ukrainën.

Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit janë në pikën e tyre më të ulët që prej fundit të Luftës së Ftohtë, për shkak të aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Moska në mars të vitit 2014, si dhe mbështetjes që u ka ofruar rebelëve prorusë kundër forcave të Kievit.

Perëndimi ka vendosur sanksione ekonomike ndaj Rusisë, duke shkaktuar edhe masa hakmarrëse nga Moksa të së njëjtës natyrë. Rusia hedh poshtë akuzat e Perëndimit dhe Ukrainës, të cilët pretendojnë se e kanë të dokumentuar faktin që Kremlini ka armatosur separatistët.

Stoltenberg tha se mbështetja e Rusisë ndaj separatistëve përbën “një shkelje flagrante” të marrëveshjes për armëpushim të nënshkruar në Minsk. Për këtë, ai shtoi edhe faktin që është vërejtur një rritje e shkeljeve të armëpushimit, më shumë viktima, si dhe pengim të monitoruesve ndërkombëtarë.

“Thjesht ekzistenca e forcave ruse përgjatë kufijve, por edhe brenda në Ukrainën lindore, është në vetvete një shkelje e marrëveshjes së Minskut, por përbën gjithashtu edhe një veprim frikësues dhe presion ndaj zyrtarëve të Kievit dhe Ukrainës”, tha Stoltenberg.

Komandanti më i lartë i NATO-s, Gjenerali i Forcave të Armatosura Ajrore të SHBA-ve, Philip Breedlove, tha gjatë muajit të kaluar se Rusia mund të jetë duke shfrytëzuar avantazhet e një përgjumjeje të luftimeve në Ukrainën lindore për të hedhur bazat e një ofensive të re. Edhe Ukraina, nga ana e saj, ka bërë të ditur se kërcënimi për luftime të një shkalle të gjerë në lindje po rritet së tepërmi.

Stoltenberg i bën thirrje Rusisë të ndalë mbështetjen ndaj separatistëve, si dhe ka kërkuar tërheqjen e armatimeve të rënda, por edhe ofrimin e aksesit të plotë dhe garantimit të sigurisë për monitoruesit e OSBE-së.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry do të diskutojnë mbi Ukrainën gjatë së martës, në rezortin turistik rus në detin e Zi, Soçi, sipas agjencisë së lajmeve ruse “RIA Novosty”, aty ku dhe u zhvilluan Lojërat Olimpike Dimërore pak muaj më parë.

Top Channel