Gjeorgji, nisin stërvitjet e përbashkëta ushtarake me SHBA-të

11/05/2015 00:00

Forcat amerikane dhe gjeorgjiane kanë nisur stërvitjen ushtarake dyjavore në Republikën e Kaukazit Jugor gjatë kësaj të hëne, një lëvizje që pritet të irritojë së tepërmi Rusinë, dikur bashkë në ish-Bashkimin Sovjetik.

Rreth 600 ushtarë amerikanë dhe gjeorgjianë kanë marrë pjesë në manovrat stërvitore, për të cilat për herë të parë ushtria amerikane ka transportuar një “kompani” të plotë mekanike; përfshi 14 mjete luftarake kundër këmbësorisë “Bradley”, të transferuara përmes detit të Zi nga Bullgaria.

“Ky përfaqëson një hap të madh në stërvitjet tona dhe një hap tepër të madh në aspektin tonë të ndërveprimit”, tha Gjeneral Brigade Mark Loeben, drejtor i stërvitjeve në Komandën Europiane të SHBA-ve, duke folur përpara reporterëve.

Gjeorgjia ka fituar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në synimin e saj për t’iu bashkuar aleancës atlantiko-veriore, NATO. Por, kjo lëvizje është kundërshtuar ashpër nga Rusia, e cila u përfshi në një luftë 5-ditore me Gjeorgjinë në vitin 2008, si dhe vijon mbështetjen e autoriteteve separatiste në dy rajonet gjeorgjiane të Abkazisë dhe Osetisë Jugore.

Stërvitjet janë fokusuar në bazën ushtarake të Vazianit, pranë kryeqytetit Tbilisi, që ka qenë dikur një bazë e forcave ajrore ruse, deri në tërheqjen e këtyre të fundit me fillimin e dekadës së kaluar, falë marrëveshjes europiane për reduktimin e armëve.

Ministrja e Mbrojtjes, Tina Khidasheli, tha se Gjeorgjia “nuk është duke u përgatitur për luftë me dikë”.

“Ky hap nuk është ndërmarrë ndaj askujt. Ne po përgatitemi për paqe”, tha ajo përpara reporterëve. “Pikërisht kjo është arsyeja, përse ne duhet të kemi një ushtri gjeorgjiane të fuqishme, të aftë dhe krenare për mbrojtjen dhe ruajtjen e lirisë dhe pavarësisë së këtij vendi”.

Rusia, e cila ka planifikuar së shpejti të zhvillojë stërvitje detare me Kinën në Mesdhe, nuk ka reaguar ende mbi fillimin e kësaj stërvitjeje.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel