Martesa ju shpëton nga obeziteti

11/05/2015 00:00

Nëse debati “pro” dhe “kundër” martesës është i shpeshtë me miqtë tuaj, atëherë për ata që janë “pro”, ja një argument më tepër. Në rezultatet e një studimi të fundit të zhvilluar në fqinjin tonë jugor, Greqi, thuhet se martesa ju shpëton nga obeziteti.

Ekipi nga Universiteti Ahepa ka përfshirë në studim mbi 150 vetë, me moshë mesatare rreth 47 vjeç, ku prej tyre 113 ishin femra dhe 40 meshkuj. Ata kanë zbuluar se gjendja civile ndikon në peshën e njerëzve.

Personat që ishin të martuar kishin treguesin e masës trupore (BMI) në mes 30 dhe 35, e që cilësohen si “mbipeshë”, ndërsa ata që ishin beqarë e kishin mbi 35, që ndryshe cilësohen si obezë.

“Studimi i fundit tregon që gjendja civile ndikon në progresin e obezitetit tek një njeri, pavarësisht gjinisë. Rreth 25% e personave të përfshirë në studim kishin BMI-në nga 30 deri në 35, 33% nga 35 deri në 40, ndërsa 42% e kishin mbi 40. Dy të tretat e personave që ishin të martuar ishin thjesht ‘mbipeshë’, ndërsa më shumë se gjysma e të përfshirëve që ishin beqarë rezultonin obezë”, u shpreh njëri prej autorëve të studimit, në Kongresin Europian të Obezitetit.

 

Top Channel