Vjedhja e energjisë elektrike, arrestohen 7 persona

11/05/2015 00:00

Në javën e kaluar grupet e përbashkëta të Policisë së Shtetit dhe OSHEE-së, kanë kryer kontrolle në mbi 4500 raste tek abonentët biznes dhe familjarë në gjithë vendin, për evidentimin e rasteve të vjedhjes së energjisë.

Si rezultat i këtij aksioni, janë evidentuar 20 raste të vjedhjes së energjisë, me 20 autorë të ndryshëm. Shtatë persona janë arrestuar në flagrancë dhe akuzohen për vjedhje, ndërsa nëntë të tjerë janë shpallur në kërkim. Ndërsa, po ndiqen në gjendje të lirë katër persona si dhe një faturist në Shkodër.

Gjatë javës së kaluar, sipas raportit të këtyre grupeve, janë ndërprerë mbi 1300 lidhje të abonentëve debitorë dhe 20 lidhje të paligjshme. Gjithashtu, janë kontrolluar 69 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen nga këto kabina.

“Policia e Shtetit dhe OSHEE janë të vendosur ta çojnë deri në fund punën e nisur, deri në shkëputjen e fundit të lidhjeve të paligjshme, duke i përballur me forcën e ligjit të gjithë ata persona, të cilët abuzojnë me energjinë elektrike, duke e vjedhur atë, qofshin këta përfaqësues biznesesh, individë, apo punonjës të vetë OSHEE-së”-, thuhet në fund të këtij raporti.

Top Channel