Meta: Ndarja e re territoriale do t’i japë hov zhvillimit

11/05/2015 00:00

Kryetari LSI-së Ilir Meta mori pjesë në prezantimin e kandidatit të “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për kryetar të Bashkisë së Vaut të Dejës,  Gjok Lleshi.

Duke iu drejtuar pjesëmarrësve në këtë prezantim, Meta tha se vota për Gjok Lleshin është vota për drejtimin e duhur për të gjithë bashkinë e re të Vaut të Dejës.

“Gjok Lleshi është një njeri në radhë të parë me karakter dhe me integritet, është një njeri me vlera, është një njeri i fjalës dhe jam i sigurt se vota juaj për të do të thotë një kontratë që ai të përkushtohet për gjithë këtë bashki, e cila bëhet një nga bashkitë më të rëndësishme në të gjithë vendin, sepse bashkon gjashtë njësi, që do të thotë se bashkimi bën fuqinë. Bashkohen resurset, bashkohen pasuritë e kësaj zone, por mbi të gjitha bashkohen edhe njerëzit e kësaj zone. Ndaj kjo reformë administrativo-territoriale do t’i japë një hov cilësor të gjithë zhvillimit të vendit dhe do të rrisë cilësinë e shërbimeve ndaj komunitetit, dhe do të shtojë shërbimet ndaj komunitetit. Nuk është e vërtetë se kjo reformë do t’i largojë shërbimet nga qytetarët. Përkundrazi, ato që deri tani quheshin komuna, do të vazhdojnë të jenë si njësi shërbimi, jo vetëm duke realizuar shërbimet e deritanishme aty ku kanë qenë, por duke marrë edhe më shumë shërbime të tjera përsipër të t’ia ofruar komunitetit”- deklaroi Meta.

Më herët Ilir Meta, i shoqëruar nga ministri  i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto mori pjesë në përurimin e punimeve për rikonstruksion e segmentit rrugor Shkodër-Mes, një investim i  Qeverisë me një vlerë prej 356 milionë lekësh, që pritet t’i kthejë shkëlqimin kësaj zone historike.

Top Channel