Durrës, Dako me banorët: Me Ramën, 22 mln USD për investime madhore

11/05/2015 00:00

Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako ka zhvilluar një bashkëbisedim me banorët e lagjeve 11 dhe 4, me rastin e përfundimit të punimeve të fasadave në bulevardet “Dyrrah” dhe “Epidamn”.

Në fjalën e tij, Dako tha se rikonstruksioni i fasadave është në vazhdën e investimeve të shumta, që po kryhen në qytetin e Durrësit dhe që po ia ndryshojnë totalisht faqen qytetit.

“Është një investim për të përmirësuar imazhin e Durrësit, si një qytet me histori e trashëgimi të pasur kulturore dhe një qytet turistik. Kishte 25 vjet, që nuk vihej dorë në këto fasada dhe tashmë, pas punës që kemi bërë, vetë ju qytetarët jeni dëshmitarë të transformimit të këtij bulevardi”, theksoi Dako.

Sipas tij, brenda 15 ditëve do të fillojë rikualifikimi i më shumë se 100 mijë m2 të fasadave në rrugë të tjera të qytetit, me fonde të qeverisë dhe punimet për këto fasada do të zgjasin 3 muaj.

Dako thotë se në 6 vite të marra së bashku janë dhënë nga qeveria e mëparshme vetëm 1,6 milionë dollarë, ndërkohë që vetëm për këto dy vjet qeveria “Rama” ka akorduar 22 milionë dollarë për investimet madhore në Durrës.

Top Channel