Basha, me kandidatët nga veriu në jug: Më 21 Qershor, fund etjes për pushtet të Rama-Metës

11/05/2015 00:00

Kreu i opozitës, Lulzim Basha e kaloi paraditen në takime me banorët e Shëngjinit, pjesë e Bashkisë së Lezhës, ku sipas tij pasojat e keqqeverisjes me mashtrime dhe arrogancë janë të prekshme nga çdo qytetar. Ata, që u takuan me kryetarin e Partisë Demokratike, u ankuan për braktisje nga qeveria dhe se po jetojnë më keq se më parë.

“Çfarë do t’u thonë shqiptarëve, që u premtuan se do të ulnin çmimin e energjisë elektrike, por ua rritën atë? Çfarë do t’u thonë shqiptarëve, që u premtuan shëndetësi falas dhe sot, pensionistët po i marrin edhe ilaçet me listë? Çfarë do t’u thonë shqiptarëve, që u premtuan se do të ulnin taksat, kur faktikisht sot paguajmë më shumë, fitojmë më pak, jetojmë më keq?”, deklaroi Basha.

Më herët, kur prezantoi në Himarë kandidaten e opozitës, Lefterie Prifti, kryetari i Partisë Demokratike e cilësoi Himarën, si një nga zonat më të prekura nga mashtrimet elektorale të kryeministrit Rama dhe nga zbatimi i standardeve të tij të dyfishta.

“Premtoi barazi para ligjit, por i trajton shqiptarët si të njerkës dhe Koçon si të nënës. Mbi 8 mijë objekte janë rrafshuar, i kanë goditur në kundërshtim me ligjin, me dhunë policore, ndërsa sarajet e Koços lartësohen”, u shpreh Basha.

Kreu i opozitës trajtoi këto probleme edhe me banorët e Selenicës, me të cilët ndau shqetësimin se, qeveria “Rama-Meta” ka vetëm një parim: atë të pasurimit të vetvetes.

“Siç më tha Jorgua i mençur në Himarë… Rilindja ka një parrullë, imja është e imja, edhe e jotja është e imja”, citoi Basha.

Zoti Basha denoncoi si të papranueshme, deklaratat e kryeministrit Rama se, qeveria do të mbështesë bashkitë ku do të fitojnë kandidatët e koalicionit të majtë.

“Tani që e dinë, që s’ia dalin dot me premtime, se populli u thotë ‘prapë premtime, prapë mashtrime’, u janë kthyer kërcënimeve: po s’votuat për ta nuk ka bukë, nuk ka drita, nuk ka ujë, nuk ka lekë. Këto dy vjet që kishin edhe bashkitë, edhe qeverinë, a kishte punë? A kishte investime? A kishte kantiere të reja? A kishte zhvillim? A kishte subvencione?”, pyeti Basha pjesëmarrësit në tubim.

Kreu i opozitës, Lulzim Basha po fton qytetarët në jug dhe në veri të bashkohen me Partinë Demokratike, për t’i dhënë fund, siç tha ai, etjes për pushtet të pakufizuar të dyshes Rama-Meta.

“Prandaj është e rëndësishme, që të bashkohemi të gjithë e t’u tregojmë më 21 Qershor, se kush janë pronarët e vërtetë të Shqipërisë, qytetarët shqiptarë, apo Edi Rama e Ilir Meta. Jam i bindur se bashkimi ynë do të çojë mesazhin më të fortë, këtu nga Shëngjini e nga mbarë Shqipëria”, deklaroi Basha.

Top Channel