Kursi për të qenë në shërbim… të klientit

11/05/2015 00:00

Shpesh, klasat me nxënës i identifikojmë me dërrasën e zezë, por jo në këtë rast të veçantë, ku në vend të saj ka zënë vend një bar i tejmbushur me pije alkoolike dhe kafeteri. Një klasë, ku çdokush do të ëndërronte të ishte, por këtë fat mund ta kenë vetëm ata, që aspirojnë të jenë baristë dhe barmenë profesionistë.

Djem dhe vajza, të punësuar apo që synojnë të zënë vend në këtë fushë shërbimi, tashmë kanë një mundësi për t’u trajnuar në mënyrë profesionale, për të qenë baristë apo barmenë të zotët. Ergys Vogli, president i barmenëve të Shqipërisë dhe nismëtari i këtij kursi, thotë se, prej vitit të shkuar, të rinjtë janë mirëpritur për t’u trajnuar në këtë klasë dhe interesi ka qenë shumë i madh.

“Fillimisht e nisa si një hobi, apo pasion për vete, por pastaj kërkesa filloi të rritej dhe për një vit u bënë 160 persona”, thotë Ergysi.

Është ndjekur nga afër kursi i vajzave që duan të bëhen bariste. Xhuljeta Rrupulli është 22 vjeç dhe ajo ka vënë gjithë pasionin e saj në këtë profesion.

“Këtu kemi ardhur si në bankat e para të shkollës. Sado që isha e trajnuar në banak nga kompania dhe kolegët e mi, por këtu i kam mësuar gjërat nga fillimi, ashtu siç duhen. Jo thjesht ta bëjmë, por si duhet që ta shijojmë”, thotë Xhuli.

Xhuli ka studiuar për gazetari, por tundimi për banakun për momentin është më i fortë sesa mikrofoni.

“U bënë 5 muaj, por do e vazhdoj për një kohë të gjatë. Për momentin diploma le të presë, më pëlqen pjesa e banakut, kafeteritë e pse jo edhe alkoolet, por gradualisht. Është një fillim i mbarë mendoj”, shton më tej Xhuli.

Klodiana Hazbi është një tjetër vajzë nga klasa e baristeve. Ka përfunduar studimet, në dallim nga Xhuli, ajo për drejtësi, por të dyja së bashku po trajnohen për të qenë profesionste të kafeterisë.

“Më pëlqen, është shumë këndshëm sidomos për femrat. Më pëlqen edhe marrëdhënia me klientët”, thotë Klodi. “Kam mëesuar shumë gjëra rreth kafes dhe produkteve të ndryshme që bëj në punën time. Ndihem e plotësuar dhe mendoj që do më ndihmojë në të ardhmen”, shton ajo.

Zakonisht na ndodh që punën pas një banaku ta lidhim me djemtë, por ky grup vajzash ka zgjedhur t’i bëjnë sfidë gjinisë së kundërt.

“Fillimisht e shohin me skepticizëm, herët e para, por pastaj e marrin me qejf. Janë më të kujdesshme femrat, nëse e marrin seriozisht janë më të mira se djemtë. Ka pas edhe lotë në filxhanë”, thotë Ergysi.

Top Channel