Ambasadorët e SHBA e BE-së në zyrën e Gruevskit për Kumanovën dhe përgjimet

11/05/2015 00:00

Të hënën diplomatë të vendeve të Bashkimit Europian dhe ai i Shteteve të Bashkuara në Shkup u takuan me kryeministrin Nikolla Gruevski ku janë diskutuar ngjarjet e Kumanovës dhe përgjimet e publikuara nga opozita maqedonase.

Korrespondenti i Top Channel në Shkup, Rijad Murati tha në linjë telefonike se në takim kanë marrë pjesë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ai i Francës, Italisë, Belgjikës, Gjermanisë dhe ai i Bashkimit Europian.

Ambasadori amerikan tha se SHBA dhe vendet e tjera janë të gatshme për të ndihmuar Maqedoninë për ngjarjet e Kumanovës nëse ka nevojë për këtë. Ai ftoi qytetarët që të ruajnë qetësinë.

Sa i përket çështjes së përgjimeve, mësohet se diplomatët kanë kritikuar mungesën e veprimeve nga ana e Qeverisë për akuzat e hedhura. Sipas diplomatëve perëndimore kjo shton pikëpyetjet mbi aftësinë e Qeverisë për të zbatuar ligjin.

Ambasadorët thonë se mbështesin të drejtën e qytetarëve për të protestuar, por kërkojnë që në këto protesta të shmanget dhuna si nga ana e qytetarëve ashtu edhe nga ana e policisë.

Top Channel