Çudia shqiptare, investimi “60 minutësh” në Bukmirë

11/05/2015 00:00

Duket sikur kanë kaluar orë të tëra përmes këtij aksi të shkatërruar, edhe pse “Rruga e Kombit” është vetëm një grusht kilometrash më tej.

Mungesa e orientimit, shtegu i vështirë e gjithçka tjetër, shpesh e bëjnë të vështirë të mendosh se, pas tyre ka aq shumë zona të banuara. Dukshëm, investime këtu nuk janë bërë, ose edhe nëse janë bërë, nuk kanë përfunduar kurrë aty ku duhet.

“Zemrën e kanë pasur gjithmonë të madhe, me mikpritjen që e dallon këtë krahinë. Jo më kot fshati quhet Bukmirë. E megjithatë, veç traditave që banorët nuk i kanë humbur, pjesa tjetër e problemeve dhe halleve po ua merr frymën”.

Bukmira është një nga ato fshatra, që ka pasur e bërë emër jo thjesht në krahinë, por edhe shumë më tej. Pikërisht këtu prodhohej vera e famshme e Bukmirës, e veç saj fshati, që sot duket i vogël, në kohën e komunizmit eksportonte rrush deri në Gjermani. Me këtë kulturë është mbajtur gjithmonë. Edhe sot, vreshtaria është drejtimi i vetëm i banorëve. E megjithatë, jo gjithçka është e njëjtë.

Fshati, nga 350-400 banorë dikur, ka sot rreth 55 shtëpi. E pse do të duhej të largoheshin njerëzit, nga një vend kaq i begatë?

“Pa ujë, të parët tanë nuk do të kishin mundur të jetonin, ndërsa ne po jetojmë me halle, me kushte shumë të vështira”, thotë Bib Prenga.

Nga rreth 100-120 hektarë vreshta që mbilleshin dikur, sot janë jo më shumë se 45-50 hektarë, edhe këto me produktivitet të gjysmuar. E kjo për shkak të mungesës tërësore të ujit, që dikur ishte me bollëk. Në fakt, në fshat mungon edhe ai i pijshëm, edhe ai për vaditje. Por nëse të pijshmin ata e kanë zgjidhur përmes puseve, që kanë hapur vetëm disa nga banorët dhe që e shkëmbejnë me njëri-tjetrin, për vaditje duhet të shohin nga qielli.

“Rendimenti që kërkojmë ne është rreth 3 kg për rrënjë rrushi, jo më tepër, sepse është rrush që kultivohet për verë. Në vitin më të mirë unë kam prodhuar rreth 1.4 kg për rrënjë. Llogaritë janë të thjeshta, nuk del as 500 lekë dita e punës”, tha Gëzim Lleshi.

Investimet nuk mungojnë, siç është rasti i Gëzimit, i cili pasi është kthyer nga emigracioni ka hedhur këtu shuma të konsiderueshme.

“Këtu janë shpenzuar rreth 300 mijë lekë për dynym, ndërsa janë rreth 14 dynym vresht. Edhe sërish nuk është plotësuar tërësisht me shpenzimet e shtyllave me tel. Kemi bërë sistem vaditës, gjithë këtë shpenzim, edhe s’ka ujë. Ka vite që nuk nxjerrim as shpenzimet vjetore”, tha Gëzim Lleshi.

Ka shumë të tillë në Bukmirë. Përpiqen të ruajnë traditën e fshatit, edhe pse gjithçka duket shumë e vështirë.

“Po me humbje dalim. Si të thuash, po të nxirrnim shpenzimet tona, më ndryshe, por dalim me humbje”, tha Ndue Prenga.

Po përtej këtij problemi, që mund të haset në shumë zona në Shqipëri, skandaloz është fakti se gjatë viteve 2009-2011, në fshat u investua një shumë e madhe për ringritjen me kushte moderne të një stacioni të ri pompimi, diku 30 metra nga i vjetri. Godina u ngrit, njerëzit punuan, u sollën edhe shumë pajisje, madje stacioni edhe u përurua. Deri këtu gjithçka normale, nëse nuk do të ishte për faktin se Bukmira pati ujë vetëm 1 orë.

Sipas banorëve, pengesë u bë mos vënia e një matësi për energjinë elektrike, ndaj dhe stacioni s’mund të përdorej. Organet përgjegjëse nuk u morën kurrë të lidhnin një kontratë me CEZ-in. Pavarësisht ankesave të shumta të banorëve, kërkesave të pafundme drejtuar pushtetit lokal e qëndror të kohës, akush nuk bëri asgjë. E lënë në këto kushte, godina ka rënë mëse 3 herë prè e grabitjeve nga njerëz të ndryshëm. Edhe në këtë rast janë vetë banorët, që janë përpjekur të forcojnë dyer e dritare.

“As edhe një pikë ujë. Është ndezur një 10 minutësh a 60 minuta këtu dhe uji ka dalë në Bukmirë, por… Që prej asaj dite, e deri më sot po bëhen 4 vjet dhe kjo nuk ka funksionuar fare”, tha Eduard Gjini, kryeplak i fshatit.

“Në sistemin vaditës janë investuar rreth 60 milionë lekë dhe ka ngelur vetëm për shumë pak gjë për të funksionuar. Kërkojmë që, nëse është mundësia, të na mbështesin me një investim”, tha Pjetër Nikolli.

Dëmet e shkatuara nga ata, që më pas duket se kanë ikur në drejtim të paditur, janë të konsiderueshme. Nuk dihet nëse stacioni funksionon ende, nëse do të tentohej ndezja e tij. Në këtë rast, ndoshta do të ishte investimi me jetën më të shkurtër në botë, një investim që zgjati vetëm 60 minuta.

“S’kemi ujë, jemi nën qiell të hapur, kur të bjerë nga natyra”.

Në këto kushte, shumë vreshta kanë degraduar, janë tharë apo zhdukur tërësisht, duke u zëvendësuar nga ferrat. Banorët kanë ikur, ndërsa të mbeturit presin me shpresë, se diçka do të mund të ndryshojë.

“Spërkatjet, vetëm ato nxjerrim ne. Çfarë të nxjerrim? Toka do superfosfat, do plehra kimikë, do gjithçka… do spërkatje në radhë të parë. Ato nxjerrim ne. Ekonomi shumë të vogla”, tha Lek Gjin Prenga.

“Sesi do të vejë halli me ne, nuk e dimë”, tha Frrok Gjini.

Për t’i dhënë jetë ekonomive në familjet e Bukmirës nuk ka nevojë për shkencë. Do të duhej veç ujë, e ata, hap pas hapi do të forcoheshin, do të rrisnin hapësirat me vreshta, do të punësonin veten, por edhe të tjerë. E kështu nuk do të kishin nevojë të largoheshin, përkundrazi, shumë do të ktheheshin. E në të njëjtën kohë, drejtësia do të duhej të identifikonte edhe personat, që çuan në këtë gjendje një investim të tillë.

Largohemi, e për ironi të fatit, diku më tej gjatë rrugës dallohen punimet gjigante për të ndërtuar një HEC mbi lumin Fan. Një investim gjigant, sepse ujë ka pafund. Ndërkohë që Bukmira duhet të qëndrojë me sytë nga qielli…

Top Channel