Festivali Folklorik Kombëtar, në natën e dytë të tij

11/05/2015 00:00

E hëna ka shënuar ditën e dytë të Festivalit Folklorik Kombëtar në Gjirokastër, ku do të performojnë grupe të tjera popullore nga krahina të ndryshme të vendit.

Entuziazmi i ditës së parë në qytet duket se nuk është shuar, e për më shumë informacione dhe për ta përcjellë atmosferën e atjeshme, në lidhje të drejtpërdrejtë nga qyteti i gurtë me edicionin qendror të lajmeve ka qenë gazetarja Lira Burgija.

Në ditën e dytë të ngjarjes më të rëndësishme të folklorit dhe krijimtarisë popullore shqiptare, në edicionin e 10-të të Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, ka mbizotëruar një atmosferë tejet festive.

“Përgjatë natës së sotme do të performojnë grupe që kanë mbërritur nga Mali i Zi, gjithashtu grupe nga Fieri dhe Dibra, pas natës së parë që u çel me Shkodrën, Gjirokastrën dhe grupin e parë nga Kosova. Njëkohësisht do të dalin edhe mjaft artistë, që kanë mbërritur këtu për të përshëndetur festivalin. Do të performojë sot Dajna Hajna, një grup që vjen për herë të parë në Shqipëri nga Bosnje-Hercegovina. Gjatë ditës së sotme kanë qenë gjithashtu të hapura panaire, si ai i artizanatit, i kulinarisë, por edhe i produkteve ‘Made in Albania’. Ka pasur edhe shumë ekspozita, si ajo e Fototekës Kombëtare Marubi, apo piktura gjirokastrite”.

E pavarësisht motit, një event i tillë nuk kishte si të mos sillte entuziazëm në qytet.

“Të bëjnë përshtypje vizitorët e shumtë që kanë mbërritur nga Kosova, nga Maqedonia dhe Mali i Zi, por për t’u përmendur janë edhe turistët e huaj, të cilët të intervistuar gjatë ditës kanë premtuar se me patjetër do të rikthehen sërish në Shqipëri, pse jo për të vizituar edhe qytetet e tjera të bukura shqiptare”.

Evente të tilla janë me përfitime të mëdha edhe nga ana ekonomike, duke qenë se pjesa më e madhe e hoteleve janë të rezervuara, ashtu sikurse dhe shumica e shtëpive karakteristike gjirokastrite. Edhe restorantet janë të tejmbushur, për të mos folur më pas për jetë nate tepër të rigjallëruar. Një atmosferë që pritet të vijojë përgjatë 7 ditëve e netëve, gjatë të cilave do të mbahet ky event i rëndësishëm.

Top Channel