Ngec krijimi i Gjykatës Speciale. Papajtueshmëri në disa nene

11/05/2015 00:00

Përgatitjet përfundimtare për Gjykatën Speciale të krimeve të luftës në Kosovë nuk janë finalizuar, ashtu siç kanë pritur institucionet e Kosovës dhe ato të Brukselit.

Zyrtarët europianë, që kanë qëndruar për dy ditë në Prishtinë javën e kaluar e ku kanë diskutuar me ekipet profesionale kosovare, nuk kanë gjetur pajtueshmëri për të gjitha pikat e projektligjit për Gjykatën Speciale.

Kjo do të ndikojë në shtyrjen për disa ditë të miratimit të Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës, pasi tanimë në diskutime janë përfshirë edhe krerët më të lartë të shtetit.

Top Channel ka mësuar nga burime brenda procesit se, diskutimet janë të përqendruara kryesisht te pjesët e ligjit, që kanë të bëjnë me gjuhën e disa neneve, që sipas palës kosovare janë të papranueshme, pasi cenojnë integritetin e sistemit të drejtësisë kosovare.

Mospajtimet e zyrtarëve europianë dhe atyre kosovarë kanë bërë që Kuvendi i Kosovës ende të mos caktojë seancën e votimit të amendamenteve kushtetuese dhe ligjit për Gjykatën Speciale.

Sipas agjendës zyrtare të Kuvendit, Kryesia pritet të mblidhet të martën dhe të përgatisë seancën e re, ndërsa Komisioni për Legjislacion ka ftuar takim të mërkurën, ku përfshin amendamentet kushtetuese, që pritet t’i procedojë për seancë.

Javën e kaluar është përmendur data 21 maj, si e mundshme për miratimin e amendamenteve dhe ligjit për Gjykatën Speciale, por zhvillimet e fundit kanë bërë që Prishtina zyrtare ende mos ta caktojë përfundimisht seancën, pasi diskutimet me Brukselin do të vazhdojnë edhe këtë javë.

Top Channel