Roberto Saviano në “Shqip”: Mafia shqiptare dhe ajo italiane logjikojnë njësoj

11/05/2015 00:00

Mafia dhe lidhjet e saj me pushtetin. A mund të flitet për organizata të mirëfillta mafioze shqiptare? Cili është roli dhe pesha e tyre në arenën ndërkombëtare dhe atë ballkanike?

Roberto Saviano rrëfeu këtë të hënën, me gazetaren Rudina Xhunga, të vërtetat sipas tij. Foli për mafien shqiptare në rajon, ngjashmëritë e saj me atë italiane dhe rrugët a pushtetin e drogës, që ai e shpjegon edhe në librin më të fundit, “ZeroZeroZero”.

Shkrimtari italian nisi me një koment për situatën në Maqedoni dhe a ekziston një lidhje mes pushtetit në Shkup dhe mafies. “Maqedonia është në një situatë dramatike. Ligjshmëria është në një krizë të thellë, ku pjesa më e madhe e të dhënave vijnë nga jashtë, sepse kërkime të brendshme nuk ka. Ligjshmëri është problem thelbësor në të gjithë rajonet. Në fakt, një pjesë e konsiderueshme e mafias italiane e shohin Malin e Zi dhe Maqedoninë si një lloj partneri. Kjo më bën të mendoj që këto vende kanë ulur mbrojtjen ndaj mafias”, tha ai.

Shkrimtari italian u ndal më tutje tek mafia shqiptare në Shqipëri e Kosovë.

“Hetimet e drejtëisë në Shqipëri dhe në Kosovë janë shumë të pakta. Pjesën më të madhe të informacioneve e kam marrë nga SHBA. Si mafia shqiptare, ashtu edhe ajo kosovare, kanë një rëndësi të madhe në SHBA. Një prej arsyeve që krijon konfliktualitet mes klasave politike të Shqipërisë dhe Kosovës, janë se familjet mafioze të Prishtinës nuk janë mike me familjet mafioze të Tiranës. Kjo është një përmasë që unë e perceptoj nga informacionet amerikane”, u shpreh Saviano.

Saviano thotë se shqiptarët janë përshtatur më shumë me kamorristët dhe Ndranghetën. “Mafiet italiane janë konferderata sipërmarrjesh. Raportin kryesor me shqiptarët e kanë me kamorristët dhe ndraghetistët dhe kjo ka krijuar një marrëdhënie të fortë me kalimin e viteve”- sqaron ai.

“Udhët e kokainës janë tepër të njohura, nga jugu i Amerikës, Afrika Ekuatoriale dhe Perëndimore, më pas në Spanjë, Italinë e Jugut e më pas në Shqipëri dhe Malin e Zi. Në Mal të Zi kanë mbërritur një prej dërgesave më të mëdha të drogës. Interesante është që Shqipëria po përpunon kokainën, që do të thotë se mund të kthehet një prodhues dhe jo një vend kalimi. Por problemi është nuk ekziston një treg i madh në Shqipëri. Organizatat që trafikojnë kokainën kanë besim tek organizatat shqiptare”- shtoi Saviano.

A po përdoret Shqipëria si vend për pastrimin e parave nga organizatat mafioze të huaja?

“Do të ishte gjë e mirë që të dihej kjo. Unë mendoj që duhet të ekzistojë, por është e vështirë të identifikohet. Nga 2006 e këtej sistemi financiar europian ka kaluar në mbrojtje dhe ka lejuar deportimin e kapitaleve të trafiqeve nëpër banka. Në të shkuarën nuk ka qenë kështu. Nuk është e vërtetë që bankat dhe mafia janë gjithnjë aleatë. Mafia italiane u orvat që të themelonte një bankë. Jam i sigurtë që bankat italiane më shumë se të tjerat u interesojnë që të kenë këto para të ricikluara”- përgjigjet ai.

Pyetjes nëse ka mundur të deportojë mafia në rangjet e larta të politikës shqiptare, shkrimtari italian iu përgjigj: “Nuk besoj që të ketë një veprimtari kaq të madhe sa të hyjë kaq lart në politikë. Organizatat mafioze nuk duan më njerëz që janë në radhë të parë të jetës publike, preferojnë zv.ministra, kryetarë bashkish. Kjo është në Meksikë edhe në Itali. Këtu mund të jetë ndryshe, nuk e di”.

Por mediat?

“Mafiat sot nuk janë të interesuara që të marrin gazeta apo televizione sepse nuk dëshirojnë të shfaqen së tepërmi. Shfrytëzojnë së tepërmi blogjet lokale pasi zinxhiri i përshkrimeve nis që aty”- shton ai.

“Mafia piramidale është Cosa Nostra, ndërsa kalabrezët dhe kampanjët janë horizontale. Edhe mafia shqiptare është horizontale, por që ka kompensimin. Çdo familje ka një delegat për të vendosur për një problem. Nuk është një komision i përhershëm, por mblidhet vetëm kur ka një problem të caktuar. Në SHBA, kur një familje shqiptare nuk u paguan dot meksikanëve drogën, familjet e tjera ndërhyjnë për të mos humbur nderin. Kjo është edhe e mafias italiane, ndaj edhe bashkëpunojnë ngushtë sepse kanë të njëjtën logjikë”- shtoi Saviano.

Në fund shkrimtari italian foli edhe për hashashin dhe Lazaratin. Ai tha se pas ndërhyrjes së policisë shqiptare në këtë fshat, çmimi i kilogramit të hashashit në Itali, në tregun e shumicës ka shkuar në 1800 euro, nga 200 që ishte para ndërhyrjes.

Saviano nuk sheh legalizimin si zgjidhje të problemit, ndërsa pati edhe një kritikë për qeverinë e mëparshme kur tha se mbylli njërin sy përballë organizatave mafioze, rriti abuzivizmin dhe futi Shqipërinë në një model berluskonian.

Shkrimtari italian u ndal edhe te drejtësia. Ai tha se është problem, por u shpreh se korrupsioni nuk luftohet vetëm me pranga, por duhet të ndryshohet kultura.

Në fund, Saviano u nderua me simbolin e “Fiks Fare” për punën e tij në zbulimin e metodave vepruese të mafias.

Top Channel