Punësimi dhe kujdesi ndaj fëmijëve, në fokus të konservatorëve britanikë

12/05/2015 00:00

David Cameron pritet të mbledhë së shpejti kabinetin e tij tërësisht konservator, të cilëve pritet t’u thotë se janë pikërisht ata partia e njerëzve që duan punën.

Kryeministri ka formuar tashmë grupin e tij kryesor, pas fitores në zgjedhjet e përgjithshme të javës së kaluar. Sipas BBC, ai pritet të thotë se masat për nxitjen e punësimit dhe rritjen e mirëqënies do të jenë çështjet kryesore.

Rritja e kujdesit falas për fëmijët para se të hyjnë në shkollë pritet të jetë gjithashtu pjesë e agjendës së konservatorëve. Zoti Cameron pritet t’u bëjë thirrje ministrave që t’u japin të gjithë britanikëve shansin të bëjnë më shumë për jetën e tyre.

Sipas mediave britanike, shefi i qeverisë pritet gjithashtu t’u thotë ministrave se, partia e tij do t’u ofrojë anglezëve mundësinë për të vazhduar përpara, dinjitetin për një vend pune, krenarinë e një rroge, një shtëpi dhe më shumë siguri e paqe, që vijnë nga mundësia për të mbajtur familjen.

Konservatorët deklarojnë se masat për punësimin dhe kujdesin ndaj fëmijëve do të jenë në fokus të programit të tyre legjislativ, që pritet të shpallet më 27 maj, e që sipas tyre, do të kalojë me shpejtësi në Parlament.

Gjatë fushatës elektorale, Cameron tha se Mbretëria e Bashkuar duhet të aspirojë për një punësim sa më të gjerë, duke theksuar se Britania ka përqindjen më të lartë të të punësuarve mes vendeve të zhvilluara.

Synimi i qeverisë konservatore do të jetë krijimi i 2 milionë vendeve të punës dhe i 3 milionë vendeve për stazhierë në 5 vitet e ardhshme.

 

Top Channel