Nepal, të paktën 19 viktima dhe 981 të plagosur, ndërtesa të shembura nga tërmeti

12/05/2015 00:00

19 të vdekur dhe 981 të plagosur janë shifrat e publikuara së fundi të tërmetit të ri prej 7,3 ballësh që goditi Nepalin këtë të martë, informacione të deklaruara nga zyrtari i Ministrisë së Brendshme, Laxmi Prasad Dhakal, në të parën dalje publike para kombit.

Dy javë nga tërmeti shkatërrimtar, që mori më shumë se 8000 jetë njerëzish e rrafshoi zona të tëra të banuara, Nepali goditet nga një tjetër lëkundje e frikshme toke, e magnitudës 7,3 ballë. Epiqendra këtë radhë ishte në afërsi të qytetit Namche Bazar, pranë Everestit. Luhatjet janë ndierë deri në kryeqytetin e Indisë, Delhi dhe atë të Bangladeshit, Dhaka, pa përmendur dhe vetë Katmandunë e dëmtuar rëndë.

Të paktën 19 viktima janë shkaktuar në një fshat qendror të Nepalit pas kësaj tronditjeje, teksa raportohet se në Chautara të qarkut të Sindhupalchowk, në veri të kryeqytetit Katmandu, humbjet e jetëve kanë ardhur pas shembjes së disa godinave, – tha një zëdhënës i Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin.

Një tjetër zyrtar i qarkut tha se 981 persona të tjerë janë plagosur, pikërisht në qarkun me numrin më të madh ndër 8 mijë viktimat e para dy javëve. Mësohet se pas lëkundjes së madhe ka pasur edhe tri të tjera më të lehta.

Korrespondentë të huaj në Nepal, që udhëtonin me një karvan ndihmash, thonë se tërmeti i fundit zgjati shumë gjatë. Njerëzit u tmerruan; mund ta ndieje që vazhdoi për ndoshta 25 sekonda, toka dridhej e gjitha, zogjtë klithnin e godinat i shikoje të lëviznin, – rrëfejnë ata.

Njerëzit në Katmandu vrapuan të dalin nga ndërtesat, me bindjen se në rrugë do të ishin më të sigurt. Epiqendra e regjistruar në zonën rurale pranë kufirit me Kinën, ka qenë në një thellësi prej 18,5 kilometrash, ndërsa ajo e tërmetit të 25 prillit ishte në 15 kilometra thellësi.

Tërmete të tilla me të cekëta kanë gjithmonë shumë më tepër gjasa se të tjerët, për të shkaktuar dëme më të mëdha në sipërfaqe. Disa prej njerëzve nëpër rrugë nisën të qanin. Situata më vonë u qetësua, por frika nuk është fashitur krejtësisht.

Që prej episodit të 25 Prillit, ekspertët e patën paralajmëruar vazhdimin e aktivitetit sizmik në këtë zonë, me argumentin se tërmeti i mëparshëm nuk e kishte çliruar të gjithë tensionin deri në sipërfaqe, ndërsa thonë se rreziku i rrëshqitjeve të dheut dhe orteqeve në terrenin malor vazhdon të mbetet i pranishëm.

Top Channel