Juve, Buffon përballë tabusë “Bernabeu”. Në Madrid, gjithnjë humbës

12/05/2015 00:00

Ka të njëjtin model flokësh dhe thuajse të njëjtin elasticitet reagimi në portë si 12 vite më parë. Herën e parë që shkelte në “Bernabeu”, Gigi Buffon ishte vetëm në sezonin e dytë të tij me Juventusin, e sigurisht që i mbushur me emocione.

Ishte 6 Maji i vitit 2003, kur në një ndeshje gjysmëfinaleje të Champions League rezultati fliste për Realin e Madridit 2-1, por një humbje që nuk dhimbte shumë, pasi Juventusi do të siguronte kalimin në finale pas triumfit 3-1 në Torino.

E megjithatë, prej asaj kohe, Gianluigi nuk ka mundur të fitojë, as të barazojë ndonjëherë në një ndeshje të zhvilluar në stadiumin e “galaktikëve”. Tabu apo një fiksim? Mjafton të përmendim se në 3 ndeshje të luajtura, janë pësuar 3 humbje, dhe e fundit është shënuar vetëm një vit e gjysmë më parë, kur Cristiano Ronaldo e ndëshkonte dy herë.

Buffon nuk ishte në atë triumf të 5 Nëntorit 2008, kur Juventusi fitonte 2-0 në “Bernabeu” me një dygolësh të Del Pieros, vetëm për shkak të një dëmtimi dhe në vend të tij luajti Manninger.

Thuhet se, për të arritur suksese të mëdha dhe ato më ambiciozet, duket të kalosh me sukses sfida të mëdha, pikërisht ndoshta për këtë arsye është një ekip si Real Madridi përpara bardhezinjve.

Fiksimi i vetëm i Buffonit, siç e ka deklaruar, është Champions League, trofeu i vetëm që i mungon ndër sukseset personale, dhe që 12 vjet më parë në Manchester kundër Milanit, i iku për pak nga duart. Që prej atëherë, numri 1 i portës bardhezi ka kaluar sfida të shumta, mes fitoreve, humbjeve, shumë pritjeve të mëdha, ndonjë gabimi, ferrin e Serie B, ringritjen dhe ciklin e ri të fitoreve. Mungon vetëm “qershia mbi tortë”, por ende nuk dihet nëse do ta kenë mundësinë ta synojnë në Mynih të Gjermanisë.

Top Channel