Basha: Rama ka mashtruar të majtë e të djathtë; dy elementë të mazhorancës kalojnë djathtas

12/05/2015 00:00

Një socialist që i bashkohet opozitës në Bashkinë e Kamzës ishte një risi e takimeve të kryetarit të PD, Lulzim Basha. Zhgënjimi nga mosmbajtja e premtimeve për legalizim falas, shëndetësi falas dhe punësim ishin arsyet kryesore të përmendura prej tij.

“Vëllezër e motra, ju bëj thirrje dhe ju kërkoj falje publike atyre që iu kërkova votën”, tha ish-socialisti.

Asgjë më shumë se kaq nuk mund t’i kënaqte demokratët. “Kam edhe emocione, sepse unë tani ndodhem pranë familjes tuaj”, tha ai.

“Një familje jemi. Shqiptarët e vuajtur dhe nën thundrën e mjerimit të qeverisë Rama-Meta janë një familje”, i tha atij kryetari Basha.

Për të njëjtat arsye, demokratëve iu bashkua edhe një i majtë tjetër, që deklaroi largimin nga anëtarësia në Lëvizjen Socialiste për Integrim.

“Sot publikisht, në mes të këtyre njerëzve, njoftoj se dokumenti i LSI nuk do të jetë më dokumenti im, sepse nuk e duroj dot mashtrimin”, tha ai.

Asllan Dogjani, që merr këto ditë mandatin e deputetit të PD, është një tjetër ish-socialist që u kërkon banorëve të Kamzës të ndëshkojnë me votë kryeministrin Rama për çdo mashtrim të bërë.

“Nëse ju gënjej njëherë është faji im, nëse gënjej dy herë është faji juaj. A do e lëmë këtë njeri të na gënjejë dy herë”, u shpreh Dogjani.

Lulzim Basha bëri një dallim mes anëtarëve të PS, LSI-së dhe atyre që drejtojnë vendin.

“Të gjithë, të majtë e të djathtë, peng i një bande të vogël që do gjithë pushtetin për vete, do gjithë kontrollin për vete, të gjitha paratë dhe kërcënon tani shqiptarët edhe me ujin. Kujtojnë se na përçajnë, por po na bashkojnë më shumë”, tha Basha.

Top Channel