Gara për Tiranën, Halim Kosova takon taksistët

12/05/2015 00:00

Me taksistët Halim Kosova diskutoi mundësitë e Bashkisë së Tiranës për të ndihmuar këtë biznes me vendime të ndershme, që ruajnë konkurencën në treg.

Halim Kosova tha se transparenca në vendimarrje është një nga shtyllat kryesore të programit të tij për bashkinë.

“Në bazë të punës së çdo vendimi që bashkia do të marrë, do të jetë merita, aftësia dhe mënyra sesi do të ofrohet shërbimi. Këto nuk do të m’i lëvizë njeri, për të tjerat jam i hapur të bëjmë çdo bisedë, çdo mundësi”- deklaroi Kosova. 

Duke vendosur si garanci për publikun integritetin e tij profesional dhe personal, Halim Kosova siguroi taksistët se asnjë vendim nuk do të merret për interesa të ngushta, por gjithçka do të bazohet tek merita.

“Duhet hequr njëherë e më parë konkurenca e prishur mes bizneseve, ky i nënë, ky i babës, ky i njërkut. Do bëjmë të pamundur që të vendosim nën kontroll këto fenomene që ju më thatë”- shtoi kandidati demokrat.

Halim Kosova mbështeti një pohim qytetar se konflikti politik është pengesë për realizimin e projekteve për zhvillimin e qytetit, por ai deklaroi se nuk ka ndërmend të bëhet pjesë e këtij konflikti në asnjë rrethanë.

“Prioritet në punën time ka qenë dhe do të jetë bashkëpunimi me çdo forcë politike, siç e kam bërë deri dje e deri sot për një shërbim më të mirë për pacientin dje dhe qytetarin sot. Nuk më vjen zor t’i shtrij dorën e bashkëpunimit, nuk jam i debatit. Do më keni në dispozicion”- shtoi ai.

Halim Kosova takoi edhe banorë të Shkozës, një zonë që kërkon punësim dhe shërbime më të mira. Por banorët sërish kërkojnë garanci se Qeveria qendrore nuk do të bllokojë projektet e bashkisë.

Halim Kosova bëri një shpjegim të thjeshtë, ku foli edhe për marrëdhënien me kryeministrin Rama.
 
“Unë nuk kam kohë për debate dhe nuk kam kohë për replika. Pse? Shumë e thjeshtë. Sa të bëj një replikë, mendoj një zgjidhje. E dyta, z. Rama e ka shprehur publikisht respektin më të madh për punën time. Unë nuk jam konkurent i Ramës . E thashë edhe njëherë e po e them prapë, konkurent është Basha , ata të dy luftojnë për Qeverinë. Kështu që, ky problem është mëse i shteruar dhe ai vetë e di që për Tiranën më mirë do shkojë puna me mua se me ndonjë tjetër, duke ditur aftësitë e mia, këtë ta keni të sigurtë”- tha Halim Kosova.

Top Channel