Duma, dëgjesë me komunitetin rom në Durrës

12/05/2015 00:00

Kandidatja e Partisë Demokratike për Bashkinë e Durrësit ka vijuar takimet e saj dhe bashkëbisedimet me qytetarët durrsakë, teksa këtë radhë është ndalur në lagjen “Nishtulla” të qytetit, ku është interesuar mbi gjendjen e komunitetit rom.

Sipas saj, ky komunitet jeton në kushte tepër të vështira dhe jashtë çdo vëmendjeje të bashkisë. Ndaj dhe strehimi, kryesisht, por edhe punësimi i kësaj shtrese të shoqërisë durrsake do të jetë prioriteti i saj, nëse do të zgjidhet kryetare e bashkisë së qytetit bregdetar.

“Vetëm punësimi mund të zgjidhë një pjesë të madhe të problemeve. Sërish ju duhet rruga dhe strehimi. Sado të jetë paga juaj, përsëri nuk e përballoni dot strehimin. Duhet t’u jemi mirënjohës që çoni fëmijët në shkollë dhe e mira do të ishte, që të kishte një buxhet më vete për fëmijët tuaj, që shkojnë në shkollë. Sepse nuk e di se si i çoni në këto kushte”, tha kandidatja e opozitës, Duma.

E vendosur përballë kryetarit aktual të bashkisë, në garën elektorale të 21 Qershorit, kandidatja e djathtë premtoi se bashkia e re nën drejtimin e saj do të angazhohej me projekte të ndryshme për komunitetin rom.

“Nuk ju kanë trajtuar ndonjëherë as me fondet e Bashkimit Europian. Kam qenë zv.ministre e Integrimit dhe e di shumë mirë se sa fonde sjell Europa vetëm për komunitetet tuaja. Duhet të ishin ndërtuar dy qendra deri tani në Durrës, por nuk është ndërtuar asnjë. Duhet të ishte ndërtuar të paktën një qendër shëndetësore për ju. Të shkojmë bashkë drejt një të nesërmeje tjetër, ku unë do t’u ofroj punë dhe ju do të punoni me mua”, u shpreh Duma.

 

Top Channel