Veliaj takon familjet e vjetra tiranase

12/05/2015 00:00

Erion Veliaj, i cili në këtë fazë të fushatës shfaqet duke mbajtur shënime nga ankesat dhe kërkesat e qytetarëve, duket se ka shkruar më shumë se me çdo komunitet tjetër gjatë takimit me tiransit e vjetër.

Ajo çfarë do t’i ofrojë Erion Veliaj Tiranës do të prezantohet në turin e dytë të takimeve në programin e shkruar pas dëgjesave, por në këtë fazë të parë ai thotë çfarë nuk do të bëjë, në ndryshim nga kryetari aktual i bashkisë.

“Me njerëz të paaftë, me rrugaçë dhe të fortë, unë nuk di të punoj. Unë jam me atë që njerëzit e kanë forcën te koka, jo te krahu. Njerëzit duhet të shikojnë te çdo punonjës i bashkisë më të mirën që mund të ofrojë Tirana“, deklaroi Veliaj.

Jo vetëm për drejtorin që vuri në krye të Policisë Bashkiake, por edhe ndërmarrjen më të madhe të bashkisë, atë të ujësjellësave, Lulzim Basha u shigjetua ashpër nga Erion Veliaj për mungesën e ujit në Tiranë, pavarësisht se, sipas tij, ai ka marrë prej qytetarëve para’, duke ndërruar në 4 vjet 6 herë sahatet e ujit.

“Të bëj kompani që punojnë me ritmin e breshkës dhe të bëhem gazi i botës dhe objekt barcaletash, nuk do e bëj kurrë”, u shpreh kandidati i PS-së për bashkinë e kryeqytetit.

Duke vënë në themel të fushatës së tij trajtimin e barabartë të të gjithë banorëve, edhe atyre që sot u përkasin komunave, Erion Veliaj premton infrastrukturë të integruar, duke iu ofruar zona zhvillimore atje ku jetojnë. Një të tillë ai përmendi projektin e 100 Liqeneve, që është duke u hartuar me Ministrinë e Zhvillimit Urban.

“Duam që Liqeni i Kasharit të transformohet në një park të ngjashëm me Liqenin e Tiranës. Kjo do na jepte tre valvula shkarkimi në fundjavë për rekreacion“, tha Veliaj.

Ndërsa për tiransit, të cilët përkrah shqetësimeve të tjera për këtë qytet, renditën edhe atë për klubin e Tiranës, kandidati i majtë premtoi auditin e parave që bashkia e drejtuar nga Basha ka dhënë për të. Përpos ringritjes së klubit Tirana, Erjon Veliaj premtoi para’ edhe për dy skuadrat e tjera, Partizanin dhe Dinamon, nga zëri i bashkisë për sportin.

“Tiransit nuk janë sjellë kurrë si sundimtarë. Nuk i është thënë askujt që të ulë kokën se ka ardhur nga Kukësi apo Gjirokastra. Të gjithë janë trajtuar si të barabartë dhe tiransit madje i kanë ndihmuar ata që kanë ardhur. Besoj se Tirana ka nevojë për këtë lloj fryme“, theksoi Veliaj.

Top Channel