Ngjarja në Kumanovë, Ban Ki-moon: Hetim të plotë dhe transparent

12/05/2015 00:00

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, u shpreh i alarmuar me dhunën në Kumanovë. Përmes një deklarate të lëshuar për ngjarjen e rëndë, e bëri të qartë se mbështet me forcë thirrjet e Bashkimit Europian dhe anëtarëve të komunitetit ndërkombëtar për rivendosjen e qetësisë dhe hetimin e plotë, në mënyrë transparente dhe objektive të episodit.

“Në këtë kohë të ndjeshme, Ban Ki-moon u bën thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga çfarëdo retorike dhe veprimi që mund të përshkallëzojë tensionet”, thuhet në deklaratë. Shefi i OKB-se u ka shprehur gjithashtu ngushëllimet e tij familjeve të të vrarëve dhe të plagosurve.

Në Kumanovë është rikthyer qetësia nëpër rrugë, por tensionet mbeten.

Komuniteti ndërkombëtar është shfaqur i njëzëshëm në shqetësimin për shkak të situatës së krijuar, por edhe bindjes se gjendja nuk duhet të përshkallëzohet, në mënyrë që të mos cenohet stabiliteti i vendit.

Këtij qëllimi i shërbeu dhe takimi i ambasadorëve të SHBA-së, BE-së, përfaqësues të lartë të zyrave të NATO-s dhe OSBE-së në Shkup me Presidentin Gjorgje Ivanov. Diplomatët e huaj treguan se presin nga liderët e vendit të angazhohen së bashku në dialog mbi të gjitha çështjet, përfshirë dhe krizën që po zgjat dhe reformat e nevojshme. Ata besojnë se grupi i armatosur në Kumanovë ishte një fenomen i izoluar.

Misioni i OSBE-së, përfaqësues të të cilit hynë në zonë menjëherë pas përfundimit të konfliktit, vlerëson se gjendja mund të kapërcehet duke siguruar një shpjegim të qartë të ngjarjeve, përmes hetimeve të hollësishme nga ana e autoriteteve.

“Zëri i Amerikës” ndërkohë citon njohës të rrethanave politike dhe atyre të sigurisë në Maqedoni të pohojnë se njoftimet qeveritare mbi ngjarjet në Kumanovë nuk janë fort të besueshme. Një prej tyre, Hysni Shaqiri mendon se shqiptarët e Maqedonisë janë të diskriminuar edhe për shkak të statusit të tyre juridik-kushtetuese, por nuk kanë as nevojë dhe as interes për një konflikt të armatosur.

 

Top Channel