PE: Dënojmë aktet e dhunës. Të hetohet me transparencë dhe në përputhje me ligjin

12/05/2015 00:00

Përmes një deklarate të përbashkët për shtyp. ndërmjetësuesit e Parlamentit Europian, të përfshirë në lehtësimin e dialogut qeveri-opozitë për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni, Ivo Vajgl, Richard Howitt dhe Eduard Kukan, shprehin shqetësimin e thellë për ngjarjet e fundjavës në Kumanovë.

“Ne dënojmë të gjitha aktet e dhunës kundër rendit publik dhe përpjekjet për të destabilizuar situatën në vend”, shprehen eurodeputetët, duke ngushëlluar familjarët e njerëzve që humbën jetën atje.

“Këto ngjarje duhet të hetohen siç duhet dhe me transparencë, në përputhje me sundimin e ligjit”, sipas tyre.

Ndërsa apelojnë ndaj publikut maqedonas për të mos lejuar përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve, eurodeputetët që merren me Shkupin u bëjnë thirrje “udhëheqësve politikë vendas, të veprojnë me përgjegjësi dhe të përmbahen nga veprimet apo deklaratat, që mund të minojnë stabilitetin në vend”.

“Përsërisim edhe një herë, se të gjitha akuzat për keqbërje, të cilat janë bërë publike, duhet të hetohen plotësisht dhe, ata që rezultojnë përgjegjës duhet të japin llogari për veprimet e tyre, në respekt të plotë të parimeve të transparencës, paanshmërisë dhe prezumimit të pafajësisë”, vijon më tej deklarata e përbashkët.

Eurodeputetët kërkojnë nga politikanët maqedonas të përpiqen më shumë për t’u angazhuar seriozisht në dialogun politik, në nivelin më të lartë, për zgjidhur krizën, për të zbutur tensionet dhe për të trajtuar mangësitë në sistemin politik në Maqedoni.

 

Top Channel