Dështon seanca ndaj të akuzuarve për xhihad, prej “uniformës” së mbështetësve

12/05/2015 00:00

Një situatë e tensionuar parapriu seancën e 9 gjyqësore në Gjykatën e Krimeve të Rënda, kundër grupit të akuzuar si rekrutues të shtetasve shqiptarë për të luftuar në Siri, në radhët e ISIS.

Policia nuk lejoi të hyjnë mbështetësit e 9 të akuzuarve, për shkak se bluzat e veshura prej tyre, me mbishkrimin “Jam krenar që jam musliman”, transmetonin një mesazh fetar.

“Ky është një mesazh i qartë që duket dhe nuk ka nevojë për shumë komentim. Ndërkohë që ata na bëjnë presione, ne jemi edhe më shumë krenarë për atë që jemi”, tha një mbështetës, besimtar musliman.

Por, sipas Gjykatës së Krimeve të Rënda, ata nuk u pranuan pasi gjykata është një institucion laik dhe nuk lejohet demostrimi i simboleve fetare. Nga ana e tyre, të akuzuarit kanë braktisur procesin, sapo kanë konstatuar se mbështetësit e tyre nuk ishin të pranishëm në gjykatë.

Njëri nga avokatët deklaroi se do t’u drejtohej institucioneve, pasi po ndalohet aksesi në gjykatë.

“Do bëjmë një peticion dhe do ta dërgojmë te ministri, te kryeministri, meqë këta vareshin prej këtyre të dyve. Punonjësit e policisë këtu na thanë se nuk kishin ç’të bënin, pikërisht prej këtyre, ndaj dhe do të çojmë një ankesë. Ndoshta fjala jonë nuk do të bjerë në vesh të shurdhër, por do të gjendet një mënyrë që këta të futen në seancë dhe të marrin pjesë në gjykim, pasi gjykimi është me dyer të hapura”, tha Roland Islami, avokat.

Në kërkesën për gjykim, Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaroi se të akuzuarit kanë rekrutuar mbi 70 shtetas shqiptarë, mes tyre edhe gra e fëmijë, duke i dërguar më pas në Siri. Shteti shqiptar nuk ka të dhëna të sakta, sesa është numri i personave që kanë humbur jetën në Siri, megjithatë në rrugë të pakonfirmuara flitet për të paktën 17 shtetas shqiptarë të vrarë.

Top Channel