Rama prezanton Tushen në Lushnjë: Qyteti ka dalë nga harresa 8-vjeçare e PD-së

12/05/2015 00:00

Një Lushnjë e dalë nga harresa e qeverisë së djathtë në 8 vite. Kështu i ka konsideruar kryeministri Edi Rama investimet e këtyre 18 muajve, që po kryhen në kryeqendrën e Myzeqesë.

Ndalesa e parë e kryeministrit ishte rreth-rrotullimi i Plugut, prej nga nis edhe rruga e re hyrëse e qytetit.

“Nëpërmjet një financimi prej 197 milionë lekësh u bë i mundur rikonstruksioni i kësaj rruge me dy korsi, me trotuare nga 3 metra, trafik-ndarësi prej 2 metrash, ku është parashikuar edhe mbjellja e 260 palmave në të dy anët e saj”, u shpreh kryebashkiaku aktual Fatos Tushe.

“Rruga e hyrjes në qytet ishte rrugë për tanke, ndërsa tani është bërë njësoj siç është rruga hyrëse për në Tiranë, siç do të bëhet ajo e Vlorës dhe si të gjitha rrugët hyrëse të bashkive të reja, që për fat të keq në gjithë këto vite u braktisën pikërisht në zemrën e tyre, në qytet”, theksoi kryeministri Rama.

I shoqëruar nga deputetët e zonës, Rama pa edhe punimet që janë drejt fundit për një rikostruksion të plotë të sheshit kryesor të qytetit, tashmë tëresisht pedonal. Sipas zotit Tushe, deri disa muaj më parë, sheshi kishte vetëm një funksion; atë të parkingut të automjeteve.

Rama kërkoi votën e lushnjarëve për një mandat të dytë të Fatos Tushes, në avancimin e projekteve për këtë bashki.

“Këto zhvillime do të shtrihen në të gjithë territorin e bashkisë së re. Bashkia e re e Lushnjes është një bashki që ka pasuri të mëdha natyrore, njerëzore, që ne do t’i kthejmë në pasuri ekonomike në 4 vitet e ardhshme për të gjithë ekonomitë familjare dhe për ekonominë kombëtare. Prandaj duhet ta votoni Fatos Tushen edhe për një arsye tjetër, se po ua kalon Divjaka, dhe pavarësisht se Erioni është i shkurtër, këta të shkurtrit kanë një gjë: nuk ka të gjatë që i kap kur ia marrin vrapit. Votoni Fatosin dhe kini besim se qeveria andej dhe gratë e këshillit këtej, nuk do t’i lënë aspak hapësira për të lëvizur këtij burri”, deklaroi Rama.

 

Top Channel