Jordanovski: “Ohri” ka ndryshuar Maqedoninë. Qeveria përballet me “rrezikun” e qytetarisë

12/05/2015 00:00

Konflikti i përgjakshëm i Kumanovës, i rrethuar nga paqartësi, zgjoi vëmendjen e ndërkombëtarëve, në morinë e apeleve të të cilëve disa dilnin përmbi të tjerëve: të hidhet dritë mbi ngjarjen, të sqarohet çfarë ndodhi në atë vend, të zhvillohet një hetim i pavarur e transparent.

Arsyeja e kësaj ndjeshmërie të madhe, për analistë si Zoran Jordanovski duhet kërkuar te fakti, që shpërthime të tilla ngjallin shqetësim të menjëhershëm, pasi rikujtojnë një krizë që ekziston prej kohësh.

Ishte një përpjekje për të zgjuar fantazmat e vitit 2001, – thotë ai, – por kanë kaluar 14 vjet nga çfarë ndodhi atëherë dhe, rrethanat e konfliktit të fundit janë shumë të ndryshme. Marrëveshja e Ohrit, që shuajti mosmarrëveshjet mes forcave maqedonase të sigurisë dhe kryengritësve shqiptarë, ka dhënë efektin e saj.

Nga njëra anë shqiptarët, gati një e treta e popullsisë maqedonase janë më mirë të përfaqësuar në institucionet publike, nga ana tjetër edhe maqedonasit e kanë pranuar këtë.

Marrëdhëniet ndëretnike në vend mbeten të brishta, por për çdo rast janë shumë më të stabilizuara se në kohën e luftës, e këtë – sipas Jordanovskit – e dëshmon qartë edhe fakti, që aksioni i grupit të armatosur nuk gjeti mbështetjen e partive politike të shqiptarëve dhe as të popullsisë shqiptare në Maqedoni.

Qeveritarët maqedonas përballen, sipas tij, me një rrezik shumë më të madh, se situata të tilla konflikti, e ai është rizgjimi i ndërgjegjes qytetare. Në protestat masive të mbajtura më së pari në Shkup, për t’u përhapur më pas edhe në qytete të tjera të vendit, maqedonas, shqiptarë e serbë demonstruan përkrah njëri-tjetrit nën sloganin “bashkë jemi më të fortë”.

Pavarësisht se kush fshihet pas konfliktit në Kumanovë, kush ka interes për një Maqedoni të destabilizuar – arsyeton Jordanovski, – kur ka parë pamje të tilla me një karakter kaq të fortë simbolik, atëherë sigurisht ka menduar se nuk ka kohë për të humbur e duhej vepruar sa më shpejt.

 

Top Channel