Kosovë, më pak ndihma sociale dhe më shumë fëmijë të braktisur

12/05/2015 00:00

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar “Statistikat e Mirëqenies Sociale” për tremujorin e parë të vitit 2015.

Ky publikim ofron të dhëna për skemën e ndihmës sociale, skemat e pensioneve bazë, pensioneve kontribut-paguese, pensioneve për personat me aftësi të kufizuara, skemën e pensioneve të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, të dhëna për numrin e fëmijëve të braktisur, të dhëna për shtëpitë për personat e moshuar dhe pa përkujdesje familjare, e të tjera.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, rezulton se numri i familjeve, që kanë përfituar ndihmë sociale në tremujorin e parë të 2015-s ka qenë 26.510, me 110.916 anëtarë gjithsej. Krahasuar me tremujorin e parë të një viti më parë, numri i familjeve që kanë përfituar ndihmë sociale ka shënuar rënie, me 3,875 familje ose shprehur në përqindje 12.7%.

Numri i përfituesve nga pensionet bazë të moshës në tremujorin e parë të këtij viti ishte 126.212. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i tyre është më i madh, me 8,750 ose shprehur në përqindje 7.4%.
   
Numri i përfituesve nga pensionet kontributpaguese të moshës gjatë 3 muajve të parë të 2015-s ishte 38.765, e krahasuar me tremujorin e 2014-s, numri i tyre është rritur me 2.036 ose shprehur në përqindje 5.5%.

Numri i fëmijëve të braktisur gjatë së njëjtës periudhë studimi ishte 16, duke pësuar një rritje me 7 fëmijë nga tremujori i parë i 2014-s, ose shprehur në përqindje 77.8%.

 

Top Channel