Bojaxhi: Rama, shantazh qytetarëve. I kërcënon me heqje fondesh, nëse nuk votojnë kandidatin e majtë

12/05/2015 00:00

Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Gjergj Bojaxhi, ka akuzuar kryeministrin Rama se po shantazhon qytetarët, duke i kërcënuar që nëse nuk votojnë kandidatët e mazhorancës nuk do të marrin fonde publike.

“Kryeministri Rama vazhdon të përsërisë deklaratën që, nëse fitojnë kandidatët e opozitës nuk do të ketë bashkëpunim mes tyre dhe qeverisë. Nënkuptimi është i qartë: nëse qytetarët nuk votojnë kandidatët e caktuar nga zoti Rama dhe zoti Meta, atëherë kryeministri do t’i dënojë ata, duke mos u dhënë komuniteteve të tyre fonde publike nga buxheti i qeverisë, i cili financohet nga vetë taksat e qytetarëve”, shprehet Bojaxhi, përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.

Sipas tij, qëndrimi i kryeministrit Rama është një shantazh i hapur autokratik, që shkel parimet dhe të drejtat themelore mbi të cilat ngrihen e funksionojnë shoqëritë e lira e demokratike.

“Me këtë qëndrim, ai synon të kufizojë dhe kushtëzojë të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur, me qëllim përqëndrimin në duart e tij edhe të pushtetit lokal. Ne i kërkojmë zotit Rama të heqë dorë nga këto shantazhe antidemokratike dhe të respektojë të drejtat dhe liritë e qytetarëve. Si të gjitha pushtetet, pushteti lokal duhet të burojë nga vullneti i popullit dhe jo nga vullneti i kryeministrit”, shkruan më tej Bojaxhi.

 

Top Channel