Emigracioni, Britania refuzon planin e BE-së për kuota sistemuese

12/05/2015 00:00

Britania ka deklaruar gjatë kësaj të marte se nuk do të marrë pjesë në çfarëdo plani të Bashkimit Europian për të sistemuar refugjatët e vendeve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës, bazuar mbi kuota të caktuara sipas vendeve, teksa shton se ajo preferon të fokusohet në përpjekjet për të luftuar trafikantët e qenieve njerëzore.

Komisioni Europian është duke planifikuar hartimin e një ligji brenda fundit të këtij viti, i cili do të sigurojë shpërndarjen e barrës së strehimit të emigrantëve në të gjitha vendet e bllokut europian, bazuar mbi kuotat e caktuara, që do të vendosen në përpjestim me kritere të tilla, si mirëqenia ekonomike dhe popullsia.

Por, qeveria e sapozgjedhur e konservatorëve në Britani deklaroi të martën se do të ushtrojë të drejtën e saj për të kundërshtuar një legjislacion të tillë.

“Nuk do të marrim pjesë në një legjislacion që imponon një sistem të detyrueshëm sistemimi apo shpërndarjeje të emigrantëve të paligjshëm”, thuhej në një deklaratë të Ministrisë së Brendshme, apo siç njihet në Britani “Home Office”.

Një seri fatkeqësish në detin Mesdhe kanë ndodhur këtë vit, teksa qindra emigrantë nga Afrika Veriore, por edhe vende të Lindjes së Mesme janë përpjekur të largohen nga trazirat dhe të hidhen drejt Europës përmes detit, duke zgjedhur rrugë të pasigurta dhe të paligjshme të ofruara nga trafikantë të ndryshëm. Gjë që ka mprehur edhe fokusin e ndërkombëtarëve mbi çështjen e emigracionit në Europë.

Britania, ku emigracioni është një temë tejet e ndjeshme politike, ka dërguar anijen helikopter-mbajtëse “Bulëark” në ndihmë të zgjidhjes së krizës së Mesdheut. Por, këtë të martë, qeveria e re tha se fokusi i saj do të mbetet shënjestrimi dhe goditja e trafikantëve që fshihen pas këtij fluksi të jashtëzakonshëm të emigrantëve.

“Mbretëria e Bashkuar ka një histori të lavdishme të ofrimit të azilit për njerëzit në nevojë më shumë, por nuk mendojmë se një sistem detyrues për sistemimin e tyre do të ishte zgjidhja e duhur. Ne do të kundërshtojmë një propozim të tillë nga Komisioni i BE-së, sipas të cilit do të përcaktohen kuota jo-vullnetare”, thuhej më tej në deklaratë.

 

Top Channel