Restaurimet në Gjirokastër, nis puna në shtëpitë karakteristike

12/05/2015 00:00

Kampet Rajonale të Restaurimit, të vlerësuara me çmime prestigjioze nga Bashkimi Europian, janë rikthyer në qytetin e Gjirokastrës për edicionin e 21-të, që ka filluar më 9 dhe përfundon më 25 maj.

25 studentë dhe profesionistë të rinj nga Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor kanë filluar punën intensive mbi konservimin dhe menaxhimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore.

Paralelisht me këtë ekip, një tjetër grup prej 17 profesionistësh janë duke marrë pjesë në kampin e Rogljevos, në Serbi.

Këtë vit, monumentet që kanë filluar të restaurohen janë shtëpia Bakuli, e cila është pjesë e një kompleksi të veçantë monumentesh, të përbërë nga shtëpi të bukura dhe një urë e gurtë.

Shtëpia Bakuli ruan gjithashtu një nga mekanizmat origjinalë që përdorej për marrjen e ujit nga pusi. Studentët do të marrin pjesë në punimet restauruese në shtëpitë Xhelili dhe Kore, si dhe një radhë shtëpish të mikpritjes që ofrojnë shërbime turistike.

Duke u fokusuar në restuarimin e elementëve të veçantë të këtyre shtëpive studentët presin të rrisin njohuritë e tyre rreth teknikave tradicionale të punimit të gurit, ndërtimit të qemerëve e kubeve, si dhe mënyrat e përgatitjes dhe aplikimit të suvasë.

Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Florian Raunig, i pranishëm në Gjirokastër për t’u njohur me këtë iniciativë, e çmoi atë si një mundësi edukimi dhe njohjeje të ndërsjelltë, që cila rrit promocionin dhe mundësitë e Gjirokastrës.

Top Channel