Naço, raport kritik ndaj Prokurorisë: Nuk zbatohen politikat penale të Qeverisë

12/05/2015 00:00

Në bazë të një raporti për inspektimet e Ministrisë së Drejtesisë në Prokurori gjatë vitit 2014, rezulton se politika penale e qeverisë nuk respektohet pothuajse fare. Ministri i Drejtësisë, teksa lexoi pika të këtij raporti, evidentoi probleme të rënda të gjetura gjatë kontrolleve në Sarandë, Durrës dhe Shkodër.

“Mosfillim procedimi, ndërkohë që kallëzohen veprime korruptive të personave konkretë, pa u kryer asnjë verifikim apo veprim proaktiv nga prokurori. Mosfillim procedimi, për shkak se kallëzimi nuk është paraqitur, ndërkohë që ky shkak nuk përfshihet në rrethanat që nuk lejojnë fillimin e procedimit. Mosfillim i procedimit, megjithëse janë kryer veprime të mirëfillta hetimore, apo kur nga materiali kallëzues del e domosdoshme kryerja e veprimeve hetimore, për të provuar apo rrëzuar pretendimet e paraqitura”, deklaroi ministri Naço.

Ministri i Drejtësisë u shpreh se nuk do të donte të dublonte punën e Prokurorisë së Përgjithshme, e cila e ka për detyrë të kontrollojë prokurorët, por ai shprehu shqetësimin se asnjë prokuror, nga ata që janë gjetur me shkelje të rënda, nuk është dërguar për procedim disiplinor.

“Sigurisht që në punën time nuk e kam parë këtë mjet ligjor, që ta kem si çekiç ndaj Prokurorisë dhe as nuk kam dashur të dubloj punën e saj”, tha Naço. 

Deputetët e Komisionit të Ligjeve shprehën shqetësimet e tyre, ndërsa e kanë konsideruar flagrante jo vetëm faktin që prokurorët janë në drejtim të kundërt me politikat penale të qeverisë, por edhe për faktin që Prokurori i Përgjithshëm nuk u pëgjigjet as formalisht kërkesave të Ministrisë së Drejtësisë.

“Mua më rezulton se ata, në këto raste kanë ecur në drejtim totalisht të kundërt me orientimet e politikës penale”, tha deputetja socialiste Vasilika Hysi.

“Jam i shqetësuar nga fakti që Prokurori i Përgjithshëm nuk dënjon t’i kthejë përgjigje Ministrisë së Drejtësisë për rekomandimet e sjella. Ky është një detyrim që e njeh edhe ligji vetë për zyrën e Prokurorisë së Përgjithshme, duke ia njohur si detyrim ndaj tij. Në dijeninë time kjo është e përsëritur, pasi edhe vitin e kaluar kam përshtypjen që është ngritur i njëjti shqetësim”, tha kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafa.

Ndërsa qeveria kërkon të ketë sa më pak dënime për të miturit dhe të jepen dënime alternative për ta, në më shumë se 90 për qind të rasteve prokurorët kanë kërkuar burgim.

 

Top Channel