“Qyteti i gurtë”, i pushtuar nga kënga

12/05/2015 00:00

Gjirokastra është e gjitha në festë. Për shtatë ditë e netë qyteti hap dyert për vizitorët nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, por edhe mjaft turistë të huaj që kanë mbushur rrugët e gurta të qytetit për të ndjekur ngjarjen më të rëndësishme të folklorit dhe krijimtarisë popullore shqiptare.

Ndalesa e parë për vizitorët e qytetit të festivaleve është sheshu ku ata mund të gjejnë guidat turistike dhe informacion mbi “ArgjiroFest”, spektaklin që po bën qytetin të jetojë 24 orë në 24 në një festë të folklorit, kostumeve popullore, panaireve, zejeve tradicionale, ekspozitave, punimeve të drurit e gurit.

“Unë rrjedh nga familje guri. Babai dhe gjyshi kanë punuar me gur. Kam bërë Ismail Kadarenë. Si punim e pëlqejnë të gjithë, por meqenëse është e rëndë, sidomos francezët duan ta marrin, por është e rëndë dhe e kanë lënë”- thotë Muhedin Makri, gurëgdhëndës.

Prej këtu nis udha drejt arenës së folklorit, skenës së madhe ku mbahet edicioni i dhjetë i Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, që do të ngjisë në skenë rreth 1300 konkurrentë, 1000 nga Shqipëria, 250 nga Kosova, 100 artistë shqiptarë nga Maqedonia dhe 50 të tjerë nga Mali i Zi.

“Festivali Kombëtar Folklorik i Gjirokastrës vjen për herë të parë sivjet me dy skena paralelelisht. Është skena  e madhe e Kalasë ku konkurojnë 12 qarqet e Shqipërisë dhe grupet që vijnë nga shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kosovës dhe skena e hapur për shkak të lirshmërisë që ajo ka, ku çdokush mund të performojë dhe të bëhet në njëfarë mënyre protagonist i festivalit”- deklaron Meri Kumbe, Drejtore Organizative e Festivalit Folklorik të Gjirokastrës.

“Ne nuk e dinim që po zhvillohet një festival para se të vinim këtu. Ishte surprizë. Është shumë bukur dhe përtej çdo parashikimi. Na pëlqen ky vend, njerëzit po ashtu. Shqiptarët janë shumë miqësorë, miqtë tanë të vjetër”- shprehet një çift turistësh kinezë.

“Jam nga Shën Peterburgu. Merrem me etnigrafinë shqiptare. Punoj në Akademinë e Shkencave të Rusisë. Për mua Festivali i Gjirokastrës është diçka e veçantë, shumë interesant”- thotë një turist rus.

“Na pëlqen shumë festivali, na pëlqejnë njerëzit dhe kostumet tradicionale, ishim në shtëpitë karakteristike gjirokastritë, po shijojmë cdo moment të qëndrimit këtu. Kemi qenë në Krujë, Apoloni më parë, na pëlqen historiam shohim progres dhe na pëlqejnë njerëzit që kemi takuar. A do të ktheheni sërish, Sigurisht që po!”- shton një tjetër.

Mesdita është pak më e qetë dhe lejon jo vetëm turistët e shumtë, por edhe vetë konkurrentët e festivalit të shijojnë bukurinë e kështjellës, ndërsa mbrëmja dhe momenti kur kështjella ndez dritat, shënon dhe nisjen e festës së folklorit.

Festivalin e përshëndesin artistë të huaj apo shqiptarë, ambasadorë të artit tonë në botë si Eda Zari, Olen Çezari, grupi Daina Haina nga Boznjë-Hercegovina.

Aktiviteti sjell po ashtu përfitim ekonomik për qytetin pasi të gjitha hotelet janë të rezervuara, ndërsa baret e restorantet gjallërojnë nga turistët.

Top Channel