Gjykata Speciale, Veseli: Duhet konsensus dhe partneritet me ndërkombëtarët

12/05/2015 00:00

Mungesa e konsensusit të plotë politik zvarrit themelimin e Gjykatës Speciale në Kosovë. Edhe këtë të martë, punimet e mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit rezultuan pa ndonjë datë, se kur do të paraqiten në seancë për votim amendamentet e ndryshuara kushtetutese.

Kryeparlamentari Kadri Veseli tha se, ka nevojë për konsensus nacional e në të njëjtën kohë, sipas tij është e rëndësishme ruajtja e partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare.

“Në fakt, ne kemi diskutuar vetëm për seancat e datave 15 dhe 18 Maj. Duhet pasur parasysh se ne do të takohemi prapë të hënën dhe pastaj do të procedojmë. Gjithsesi, e kemi thënë edhe më herët se, ajo që është kryesore është të ruajmë partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë të arrijmë edhe një konsensus të përbashkët nacional, që nga kjo situatë vërtetë serioze dhe e veçantë, të dalim në mënyrë sa më unike”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci i arsyeton vonesat në themelimin e Gjykatës Speciale me procedurat, që sipas tij duhet të përfundojnë. Ai nuk pranoi të komentojë, nëse janë siguruar votat e mjaftueshme të deputetëve për ta votuar Specialen.

“Absolutisht, ne nuk i frikësohemi asnjë gjykate, ne i frikësohemi vetëm padrejtësisë dhe gjithmonë kemi qenë këmbëngulës që të ketë drejtësi. Ne jemi të gatshëm, që në çdo kohë, personalisht në çdo kohë, që të kërkohet, të mbroj pastërtinë e luftës së UÇK-së, luftën e drejtë të popullit të Kosovës. Kjo sepse, në Kosovë nuk ka fituar vetëm Kosova, nuk kanë fituar vetëm shqiptarët, këtu ka fituar civilizimi. Prandaj, çka është duke ndodhur është paradoksale, por ne jemi të gatshëm”, tha Adem Grabovci, shef i grupit parlamentar të PDK-së.

Të mërkurën, Komisioni për Legjislacion pritet që t’ia përcjellë seancës ndryshimet kushtetuese, që i hapin rrugë krijimit të Gjykatës Speciale. Ishte paralajmëruar se kjo çështje do të përfundojë në kuadër të punimeve të seancës parlamentare të 21 Majit, para mbledhjes së Këshilli të Sigurimit të OKB-së, e caktuar për më 26 Maj.

Top Channel