Kodi i etikës në Parlament, OSBE: Të miratohet brenda këtij sesioni

12/05/2015 00:00

Gjuha e përdorur në seancat parlamentare lë për të dëshiruar dhe për këtë shumë qytetarë shqiptarë kanë humbur besimin tek Kuvendi dhe të zgjedhurit e tyre.

Pikërisht për të korigjuar këtë dhe për të shmangur gjuhën e pahijshme për ligjvënës, në kryesinë e Kuvendit u zhvillua tryeza e parë për hartimin e një kodi etike, me pjesëmarrjen e OSBE-së dhe ODIHR-it.

Në fjalën e hapjes, kreu i Kuvendit, Ilir Meta tha se hartimi i një kodi të tillë synon rikthimin e besimit tek parlamenti.

“Hartimi i këtij kodi është një përpjekje për të risjellë besimin tek parlamenti, përpjekje për të transformuar kulturën ekzistuese”- tha Meta.

OSBE shpreson që një kod etike do të vendosë në shinat e normalitetit punimet në seancë plenare dhe kërkon miratimin e tij brenda këtij sesioni parlamentar.

“Qytetarët janë të zhgënjyer nga mungesa e etikës në debatet parlamentare. Qytetarët duhet të besojnë tek zyrtarët e zgjedhur. Shpesh debatet parlamentare kthehen në fyerje personale dhe unë shpresoj që ky takim të mos jetë i vetmi i kësaj natyre, por të jetë një gur themeli për miratimin e një kodi etike deri në fund të këtij sesioni parlamentar”- tha ambasadori Raunig.

Top Channel