Ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë: Kumanova, s’ka lidhje me Shqipërinë e Madhe

12/05/2015 00:00

Ish-ministri i Jashtëm maqedonas, Lubomir Fërçkoski deklaron se ngjarjet e Kumanovës nuk kanë lidhje me “Shqipërinë e Madhe”.

Në një intervistë dhënë për “Radio Europa e Lirë”, ish-kryediplomati maqedonas hedh poshtë pretendimet e shfaqura kryesisht në mediat serbe, që i shohin ngjarjet më të fundit të ndodhura në Maqedoni si përpjekja e radhës për krijimin e Shqipërisë së Madhe.

Ai ka akuzuar Qeverinë në Shkup për nxitje të tensioneve etnike dhe thotë se e gjitha është çështje e brendshme e Maqedonisë, që nuk ka të bëjë me fqinjët e saj.

“Kam lexuar tituj të tillë në portale, si: “Çetnikët nisen për të çliruar Kumanovën”, pastaj “Shqipëria e Madhe”, “Nisi lufta në Maqedoni”, “Kaos në Maqedoni” e të tjera. Mirëpo, asgjë e ngjashme me këtë nuk ndodh në terma reale. Bëhet fjalë për një fenomen që e kam cekur gjithmonë; çdo qeveri e VMRO-DPMNE-së përfundon me tensione etnike. Ky është rregull në Maqedoni; ata thjesht nuk dinë të qeverisin në një shtet multikulturor. Qeverisin me korrupsion, krim, korruptojnë edhe shqiptarët, dhe në fund, gjithmonë përfundon me ndonjë tension.

Fërçkoski hedh dyshime mbi pretendimet e Ministrisë së Brendshme që flet për një “grup terrorist” të ardhur nga një vend fqinj.

“Nuk është e vështirë këtu të gjenden grupe që nuk janë të kënaqura me pjesëmarrjen e shqiptarëve në qeveri. Komandanti i tyre, njëri nga ata të ashtuquajtur komandantë, drejton gishtin kah Ali Ahmeti. Ai thotë: ose Ahmeti të dalë nga qeveria, ose do të ketë luftë në Maqedoni. Kjo është teza e tij. Ndaj unë mendoj se dështimi në qeverisjen e vendit krijon klimën që grupe të ndryshme të organizuara, të gjysmë-organizuara, grupe që vijnë nga jashtë ose nga brenda, të gjejnë terren. Ata janë nisur nga nënçmimi i shqiptarëve në Qeveri; korrupsioni i tyre shkakton zemërim te shqiptarët. 52 për qind e shqiptarëve të Maqedonisë nuk janë të përfaqësuar në politikë. Kjo pakënaqësi kulmon në incidente të tilla. Kjo nuk ka të bëjë me konceptin e “Shqipërisë së Madhe”, me Kosovën, me Shqipërinë etj. Ky është është frustrim brenda shqiptarëve të Maqedonisë dhe, në njëfarë mënyrë, u drejtohet përfaqësuesve të tyre në Qeveri”- thotë ish-kryediplomati maqedonas.

Fërçkoski nuk përjashton incidente të ngjashme në të ardhmen, ndërkohë që konsideron të rrezikshme lojën e Gruevskit për të vendosur maqedonasit përballë shqiptarëve, si mënyrë e mbijetesës në pushtet.

Top Channel