Menduh Thaçi bën thirrje për qetësi: Zhvillimet, jo në favor të shqiptarëve

12/05/2015 00:00

Partia Demokratike Shqiptare ka shprehur shqetësimin e saj për ngjarjet e fundit në Kumanovë. Kryetari i PDSH-së opozitare, Menduh Thaçi, akuzoi qeverinë se nuk ka bërë sa duhet për të parandaluar përleshjet në “Lagjen e Trimave”.

“Ishte dhe është një situatë e rëndë dhe serioze. Mendoj se Qeveria nuk ka bërë sa duhet për ta parandaluar përshkallëzimin e kësaj situate. Bëj thirrje për qetësi sepse kjo nuk na shkon në favor shqiptarëve. Prioritet ynë duhet të jetë integrimi në NATO dhe BE”, deklaroi Thaçi.

Duke komentuar vizitën e liderit maqedonas të opozitës, Zoran Zaev, në “Lagjen e Trimave”, Thaçi tha se nuk bën pjesë në grupin e liderëve që dëshirojnë të përfitojnë nga tragjeditë e të tjerëve.

“Unë nuk bëj pjesë në grupin e liderëve që duan të fitojnë politikisht në fatkeqësinë e popullit dhe qytetarëve. Me këtë rast, dua të bëj një kërkesë drejt qeverisë, që premtimet për dëmshpërblim të mos zgjasin me vite, por të bëhen sa më parë”, theksoi Thaçi.

Kreu i PDSH-së tha se partia e tij do të vazhdojë të angazhohet me ngulm për një proces politik ku dialogu mes shqiptarëve dhe maqedonasve do të jetë i vërtetë, si e vetmja alternativë për realizimin e të drejtave të shqiptarëve dhe për zhbllokimin e proceseve integruese të Maqedonisë.

Top Channel