Ekspozita fotografike e 18 filmave shqiptarë

12/05/2015 00:00

I mbani mend filmat e vjetër shqiptarë si “Ballë për ballë”, “Rrethi i kujtesës”, “Një djalë dhe një vajzë”, apo “Koncert në vitin ’36”?

Performimi i aktorëve na ka mrekulluar, duke gozhduar para ekranit shumë telespektatorë, që i prisnin me padurim.

Fakt është se, pak njerëz kanë pasur fatin të jenë pas kamerave, gjatë xhirimit të një filmi. Operatorët, teknikët, grimierët, regjisorët dhe sigurisht aktorët kanë qenë dëshmitarët e punës kolosale, përpara se të dilte produkti final.

Çdo skenë e filmave të dikurshëm është e fiksuar në celuloid. Sete të tëra fotosh shkrepeshin, duke mos u bërë kurrë publike. Sheshi i xhirimit kthehej kështu në vendin, ku fabrikohej imazhi dhe mbase modeli, që duhej të ndiqte e gjithë shoqëria.

Ajo që nuk kemi parë nga ekrani i vogël i shtëpisë janë dritat, çaku, njerëzit kureshtarë, që prisnin çfarë do të ndodhte nga skena në skenë, apo grimierët dhe kostumografët, të cilët nxitonin të vishnin personazhin.

Sot, këto filma kanë mbetur si pjesëza në mozaikun e kinematografisë shqiptare, si kujtim i një kohe, kur Kinostudio “Shqipëria e Re” prodhonte filma, që dhe sot e kësaj dite kanë mbetur në kujtesën kolektive.

Top Channel