Ilia Terpini ka qëndruar prapa kamerës për 34 vite. Profesioni i operatorit të filmit nuk ka qenë thjesht një punë, por shumë më tepër.

Dikur, ai ishte një nga operatorët më të mirë të Kinostudios “Shqipëria e Re”, ku prodhoheshin dhjetëra filma çdo vit. Sot, operatori i vjetër ka ardhur në ambientet e Arkivit të filmit, për nostalgji të kohës së shkuar.

“Kam xhiruar 27 filma artistikë dhe mbi 150 dokumentarë. Në këtë set fotografik kemi momente nga disa filma”, thotë Ilia Terpini, ish-operator.

Ambienti e rikthen Ilian vite pas. Shumë filma mbajnë vulën e tij, por 77-vjeçari është natyrë fare modeste.

Teksa tregon sendet në Arkivën e filmit, Ilir shprehet “kjo është një nga kamerat e vjetra çeke, ndër të parat fare, pas së cilës u mor kamera tjetër Arifleksi. Pavarësisht se ka mbetur ndër kamerat e vjetra dhe është prishur pak, por ishte funksionale deri vonë, e marrë në Gjermaninë Perëndimore”, tregon më tej Ilia Terpini.

Kur flet për kamerën, duket sikur i referohet një frymori, mbase mikeshës më të mirë. Di të gjitha detajet teknike, që nga pajisjet e xhirimit, e deri te montazhi apo projektori.

“Të gjithë filmat e Kinostudios janë xhiruar me një kamerë me tre objektiva. Edhe sot e kësaj dite, kur shoh nëpër ekranet jashtë shtetit, vazhdon të përdoret kjo kamerë. Kaq e efektshme është. Për mua ishte e pavdekshme. Kemi pasur edhe tavolina montazhi. Pasi mbarohej filmi së xhiruari, shkonte në laborator, zhvilloheshe duke u bërë nga negativ në pozitiv, e më pas shkonte në repartin e montazhit”, tregon Ilia Terpini.

Mendon se filmat janë dëshmi e një kohe, kur fuqia e imazhit frymëzonte jetë njerëzish dhe krijonte modele.

Edhe sot e kësaj dite, personazhet e filmave të Ilias kujtohen nga njerëzit në bisedat e përditshme. Sheshet e xhirimeve ishin për të një familje e madhe, ku aktorë, regjisorë, teknikët dhe operatorët ishin një familje e madhe.

Top Channel