Deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim  kanë vizituar të martën “Lagjen e Trimave”, por ata nuk janë mirëpritur nga banorët.

Të revoltuar nga pafuqia e partisë shqiptare në pushtet BDI për të parandaluar përleshjet, banorët kërkuan nga deputetët Rexhail Ismaili, Mervan Xhemaili dhe Kaltrina Azizi të braktisin lagjen e tyre tashmë të shkatërruar.

“Tani kur është kryer aksioni ju keni ardhur?! Pse nuk erdhët kur u bë lufta? Pse nuk i ndalët? A nuk pati mundësi të parandalohet? Me 100 blinda na kanë tmerruar dhe askush nuk ka reaguar. Kjo i leverdis pushtetit maqedonas dhe qeverisë së Maqedonisë”- tha Muhamed Fejzullahu, banor i “Lagjes së Trimave.

Ndërkohë, lagjen e Trimave e ka vizituar edhe kryetari i komunës së Strugës Zijadin Sela, i cili u mirëprit nga banorët.

“Është e patolerueshme që brenda një lagjeje në të cilën ka popullatë civile, bëhen aksione policore të atij tipi. Duhet të gjejmë forcë që shqiptarët në këtë situatë të qëndrojmë bashkë, asesi mos të bëhen pesimistë, të jenë të fortë. Kuptohet se duhet të organizohen akoma më mirë dhe më tepër dhe pikërisht për këtë gjë para 1 viti e gjysmë kemi thënë se shqiptarët janë të pambrojtur”- deklaron Zijadin Sela, kryetar i komunës së Strugës.

Banorët e “Lagjes së Trimave” i ka vizituar të martën edhe një delegacion i partisë Rilindja Demokratike Kombëtare.

Top Channel