Komisioni i Jashtëm në një qëndrim: Shkupi të zbardhë të vërtetën

12/05/2015 00:00

Komisioni Parlamentar i Politikës së Jashtme ishte i bashkuar në kërkesën ndaj autoriteteve të Shkupit në zbardhjen e së vërtetës së Kumanovës, kur deklaruan se pushteti i Gruevskit nuk mund të kthejë krizën për shkak të zvogëlimit të hapësirave demokratike si betejë ndëretnike.

Në qëndrimin për ngjarjen e Kumanovës, palët ishin në një linjë, ndërsa ndanë sërish qëndrime të ndryshme për mungesën e përfaqësimit të Shqipërisë me ambasador në Shkup.

Kryetarja Arta Dade kërkoi nga presidenti reflektim, veçanërisht në këtë situatë, për të zhbllokuar emrin e Fatos Rekës si një diplomat karriere, ndërsa Aldo Bumçi tha se presidenti nuk e dekretoi për shkak të mungesës së konsultimit nga ministri i Jashtëm.

“Do të dëshironim që situata të normalizohej, pasi kjo do të ishte në të mirë të rajonit. Kërkojmë që autoritetet maqedonase të zbardhin arsyet e ngjarjeve”, tha Arta Dade, kryetarja e Komisionit të Jashtëm.

Ndërkohë, nënkryetari i Komisionit të Jashtëm, Aldo Bumçi, u shpreh: “Shkaqet e këtyre ngjarjeve nuk janë konflikti etnik, por sistemi autoritar që kryeministri Gruevski ka vendosur në atë vend. Një bashkim i forcave ndërmjet opozitarëve maqedonas dhe shqiptarëve do ishte zgjidhja për të krijuar hapësira të reja demokratike në Maqedoni”.

Top Channel