“Europë, ik E ja”

12/05/2015 00:00

Polikanëve u ndodh që kur janë në opozitë të shkruajnë libra dhe kësaj nuk i ka shpëtuar as ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, libri i të cilës u promovua në Javën e Europës.

Majlinda Bregu thotë se e ka marrë pasionin për të lexuar dhe për të shkruar nga i ati, dhe kritikët letrarë thonë se ajo ia dalë të habisë me librin e saj të parë, saqë e ftojnë në “klubin e artistëve”, një ftesë në fakt që Majlinda Bregu e refuzoi, sepse politika i duket ende interesante. Ndaj këtë botim nuk e quan as një libër me kujtime, as një vepër letrare.

“Meqë edhe ne e kemi ushtrim këtë të shkruarin, sepse na duhet të përgatitemi ndonjëherë në parlament, përtej asaj gjuhës në bën të dukemi pak më të kufizuar sesa jemi, ky libër jep atë dimensionin tjetër që ndoshta e kemi të gjithë; më njerëzor”- deklaroi Bregu.

Që në titull, libri i Majlinda Bregut tregon sesa e vështirë është Europa për Shqipërinë. 7 vjet intensivë në detyrën e Ministres së Integrimit Europian e kanë ndihmuar të japë një këndvështrim tjetër të këtij procesi, duke përfshirë edhe veten si personazh të librit, që në fillimet e karrierës së vet, formimit akademik dhe, paragjykimit si shqiptare nga kolegët europianë. Tani nuk e ka më. Përkundrazi vleresimet janë maksimale.

“Janë njerëzit, individët ata që e udhëheqin dhe ndryshojnë vendin. Duhet kurajë individuale për të luftuar për atë gjë në të cilën besoni. Unë mendoj që Majlinda është një prej këtyre njerëzve”- vlerësoi shefja e BE-së në Tiranë, Romana Vllahutin.

“Duke besuar që shqiptarët e kanë të konsoliduar identitetin e tyre europian, vazhdoj të besoj se Europa do të vazhdojë të mbetet pasioni i të gjithëve”- nënvizoi Bregu.

Duke u nisur nga përvoja e gjatë me europianët e zyrave, Majlinda Bregu përmend ngjarjet në Kumanovë dhe ka një sugjerim gati kritik për Europën.

“Unë vazhdoj të besoj që sfida më e madhe që ka Europa sot është të qënit aktor dhe jo vëzhgues në Ballkan”- përfundon ish-ministrja e Integrimit.

Top Channel