Berat, asgjësohen mbi 3 mijë rrënjë hashashi, në kërkim autori

12/05/2015 00:00

Policia e Beratit asgjësoi mbi 3 mijë rrënjë canabis sattiva në një operacion në kuadër të fushatës së ndërmarrë nga uniformat blu në shkallë republike, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Pas informacioneve të marra në rrugë operacionale, uniformat blu të Beratit kanë ndërmarrë operacionin e koduar “Start 2015” në fshatin Osmëzezë të Komunës Sinjë, ku pas një kontrolli të imtësishëm janë zbuluar 7 parcela të kultivuara trishtazi me bimë narkotike të dyshuar canabis sattiva.

Në 7 parcelat ishin të hapura në një zonë të pyllëzuar dhe në to u asgjësuan 3.049 bimë narkotike. Bimët varionin nga 10 centimetra deri në 25 centimetra të larta dhe janë asgjesuar në vend me anë të djegies.

Pas asgjësimit të bimëve, policia shpalli në kërkim shtetasin me inicialet P.R. si personi të kërkuar me akuzën e “mbjelljes dhe kultivimit të bimëve narkotike”.

Nga veprimet e para hetimore si dhe nga informacionet e marra në rrugë operative autor i kësaj vepre penale dyshohet të jetë shtetasi me iniciale P.R., i cili u shpall në kërkim. Vijon puna  për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje si dhe verifikimin nëse ka persona të tjetë të implikuar në këtë vepër penale ose jo.

Materialet i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Top Channel